Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar rolin e shqiptarëve në Mal të Zi, duke thënë se ata vazhdojnë të jenë faktor i rëndësishëm në zhvillimin demokratik dhe orientimin euroatlantik të vendit.
Deklarata e tij erdhi pas takimit me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, si dhe kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
“Faktori shqiptar ka qenë dhe mbetet një forcë e rëndësishme e orientimit euroatlantik dhe zhvillimit demokratik të Malit të Zi”, ka deklaruar Konjufca.
Gjatë takimit është diskutuar për pozitën dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Mal të Zi, rolin e tyre në jetën politike e institucionale, si dhe zhvillimet me rëndësi për komunitetin shqiptar.
Konjufca ka theksuar gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke e cilësuar këtë të fundit si partner të rëndësishëm të Kosovës në proceset integruese evropiane.
Gjeloshaj dhe Nimanbegu po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të Konferencës së IX-të të Ambasadorëve, ku kanë marrë pjesë edhe në diskutimet për integrimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe rolin e shqiptarëve në këtë proces.
/Demantim News/