Një sasi armësh dhe municioni është sekuestruar gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të një 35-vjeçari në fshatin Manastirc të Ferizajt.
Njësiti i hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj ka realizuar kontrollin të enjten, bazuar në një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur armët në garazhin e oborrit të të dyshuarit, konkretisht në bagazhin e një automjeti BMW të zi, në pronësi të tij.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar një pushkë automatike AK-47, tre karikatorë me gjithsej 139 fishekë, një pistoletë dhe dy karikatorë me gjithsej 42 fishekë.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e procedurës për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari F.H. është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë.