Të gjithë personat që cenuan vullnetin e lirë të qytetarëve duke manipuluar me votat qofshin komisionerë apo edhe kandidatë për deputetë, të cilëve iu shtuan votat do të intervistohen nga prokuroritë përkatëse.
Kështu ka deklaruar koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, prokurorja, Laura Pula, e cila vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë e konsideron veprim të duhur.
Rinumërimi i plotë në dhjetë komuna, si dhe disa tjera me 10 përqin, zbuloi parregullësi në numërimin e votave. Aty u zbuluan “dallavere”, brenda votave të partive, ku disa kandidatëve u mungonin votat, e disa të tjerëve iu shtuan.
Kjo ka bërë që të ketë shumë reagime, madje u kërkua edhe rinumërim i plotë, gjë që edhe do të ndodh pas vendimin që sot mori Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në një intervistë, prokurorja, Pula thotë se pas përfundimit të procesit të rinumërimit në shumicën e komunave lidhur me dyshimet për manipulim të votave pas zgjedhjeve ka urdhëruar grumbullimin e provave dhe nisjen e hetimeve penale.
Pula tha se procesi zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 shkoi mirë, por pas rinumërimit u evidentuan mospërputhje të votave mes kandidatëve brenda të njëjtit subjekt politik, çka sipas saj përbën “manipulim brenda llojit”, pasi nuk janë prekur votat mes subjekteve politike, por votat për deputetë brenda një partie.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për vepër penale të falsifikimit të dokumentit të votave, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurorja Laura Pula tha se hetimi do të jetë i mirëfilltë dhe se do të intervistohen të gjithë komisionerët që kanë marrë pjesë në numërim, si dhe të gjithë kandidatët të cilëve u janë shtuar votat, për të sqaruar arsyet e mospërputhjeve dhe përgjegjësitë eventuale.
Sipas prokurores, Pula, një rast i ngjashëm me këtë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndodhi në vitin 2010, kur pas zgjedhjeve u evidentuan mospërputhje të votave dhe u akuzuan rreth 1,500 persona, duke theksuar se raste të tilla dëmtojnë reputacionin e shtetit.
Ajo tha se rinumërimi në të gjitha komunat është i nevojshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për të sqaruar nëse është cenuar vullneti i tyre.
Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, Laura Pula bëri të ditur se për hetim janë të nevojshme procesverbalet e numërimit dhe rinumërimit, listat me nënshkrime të komisionerëve dhe dokumentet verifikuese, të cilat do të krahasohen për të identifikuar dallimet në vota.
Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen votat për kandidatë në tërë Kosovën. Përveç rinumërimit edhe në 28 komuna tjera, u është ndërprerë mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.
Ndërsa, më herët ishte marrë vendim për rinumërim në gjithsej 10 komuna, ku doli se në Prizren ishte bërë manipulim i madh i votave brenda listës zgjedhore të një partie.
Qytetarët e Kosovës më 28 dhjetor 2025 iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës e më pas edhe qeverinë e re.