February 20, 2026
1 min read

Kosova fiton të drejtën për parafinancim mbi 60 ml € nga Plani i Rritjes

Pas miratimit të marrëveshjeve të domosdoshme në Kuvend për Planin e Rritjes, Kosova ka të drejtë të marrë mjetet e parafinancimit, kanë konfirmuar zyrtarët e Komisionit Evropian.

Në këtë institucion u konfirmua se Kosova tashmë ka bërë kërkesën për lirimin e parafinancimit deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar në kuadër të këtij instrumenti.

“Tani që marrëveshjet e lidhura me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes janë ratifikuar, Kosova ka të drejtë të marrë parafinancimin. Sapo këto ligje të shpallen zyrtarisht dhe t’i komunikohen Komisionit, dhe me kusht që të përmbushen kushtet e përgjithshme, mund të bëhet lirimi i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Kosova nga Plani i Ri i Rritjes përfiton rreth 880 milionë euro. Mjetet e parafinancimit, për të cilat Kosova ka të drejtë t’i marrë menjëherë, janë në shumë prej mbi 60 milionë eurosh.

Parakushtet që vendi duhet t’i përmbushë tutje për marrjen e mjeteve financiare nga Plani Evropian i Rritjes, krahas reformave të nevojshme, përfshijnë stabilitetin makroekonomik, menaxhimin e shëndoshë të financave publike, transparencën dhe mbikëqyrjen e buxhetit, mbrojtjen dhe respektimin e mekanizmave demokratikë, si dhe angazhimin konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Siç u shpjegua jozyrtarisht, shuma e parafinancimit në vlerë prej 7 për qind të vlerës totale është në dispozicion për secilin vend përfitues. Pagesat e tjera bëhen pasi të vlerësohen kushtet e përgjithshme dhe kjo vlen për secilën pagesë të bërë. Procedurë e njëjtë vlen për secilin vend përfitues të rajonit.

Latest from Blog

Presidenti, PDK nuk merr pjesë në seancë

Pas pak pritet që të mbahet seanca për Presidentin. Burime të Klankosova.tv bëjnë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e sontme. Bazuar në këtë
Go toTop