Ministrja e Drejtësisë belge, Annelies Verlinden, ka paraqitur një fenomen shqetësues, duke deklaruar se Kosova po shfaqet gjithnjë e më shumë në dosjet kriminale belge si një qendër për pastrim parash, trafikim njerëzish dhe kontrabandë armësh.
Lidhur me këtë situatë, po ministrja e Drejtësisë belge Annelies Verlinden dhe ministrja e Azilit dhe Migracionit Anneleen Van Bossuyt nga sot fillojnë një mision diplomatik tre-ditor në Kosovë dhe Shqipëri.
Vizita ka për qëllim trajtimin e mbipopullimit në burgje dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas agjencisë së lajmeve Belga, në Kosovë, delegacioni do të diskutojë gjithashtu një traktat dypalësh për ndihmën juridike të ndërsjellë për të forcuar bashkëpunimin afatgjatë në fushën e drejtësisë.
E për të lehtësuar mbipopullimin kronik në burgjet belge, qeveria është duke shqyrtuar mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për të burgosurit që nuk janë banorë të vendit.
Misioni do të përfshijë gjithashtu bisedime mbi një letër nisme për shpërndarjen e aseteve, duke lejuar që një pjesë e të ardhurave kriminale të sekuestruara në Shqipëri ose Kosovë si rezultat i hetimeve të udhëhoqura nga Belgjika të kthehen në thesarin belg.