Një delegacion nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i Shqipërisë po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Delegacioni, i kryesuar nga drejtuesi i SPAK-ut Klodjan Braho, u prit nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Agron Qalaj, së bashku me prokurorët Aleksandër Lumezi, Laura Pula dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj.
Gjatë takimit u diskutua për funksionimin e sistemit prokurorial në Kosovë, sfidat e tij dhe mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Delegacioni shqiptar përfshinte gjithashtu ish-drejtuesin e SPAK Altin Dumani dhe prokuroren në EUROJUST Fatjona Memçaj.
Njoftimi i plotë:
Një delegacion nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nga Republika e Shqipërisë po qëndrojnë për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Delegacioni shqiptar i kryesuar nga drejtuesi i SPAK-ut z. Klodjan Braho u prit sot në takim nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj, i shoqëruar nga prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, dhe znj Laura Pula, si dhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj.
U.D. Kryeprokurori Qalaj njoftoi delegacionin nga Tirana për funksionimin e sistemit prokurorial, e në veçanti për funksionimin e Prokurorit të Shtetit, për strukturën organizative, për kompetencat e prokurorive, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial në realizimin e misionit për sundim të ligjit.
Gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe u diskutua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja shtetet.
Palët u dakorduan se forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë.
Pjesë e delegacionit të Republikës së Shqipërisë përveç drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Klodjan Braho ishte edhe ish drejtuesi i kësaj prokurorie z. Altin Dumani dhe znj. Fatjona Memçaj, prokurore në EUROJUST.