Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar partinë fituese të zgjedhjeve, duke theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit i takon asaj.
Në një deklarim për media, ai u shpreh se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka 80 votat e nevojshme për ta zgjedhur presidentin, duke lënë të kuptohet se procesi mund të përballet me vështirësi.
“Në mungesë të këtyre votave nuk ka ndodhur një proces politik për të zgjedhur një kandidat konsensual. Nuk ka ndodhur asnjë tryezë serioze për të diskutuar profilin e një kandidati potencial për president konsensual për vendosjen e emrave të subjekteve politike dhe pastaj dakordimin e dy apo tre emrave që kanë mundur të shkojnë në votim”, tha ai, njofton Klankosova.tv.
“Kjo nuk ka ndodhur, kanë ndodhur disa takime 1 me 1 në mënyrë jo transparente, pa llogaridhënie, diskutimi para mediave ka qenë i ndryshëm i Kurtit dhe liderëve që kanë folur dhe sot jemi në një krizë serioze, shumica parlamentare me apo pa vetëdije do ta dërgojë vendin në zgjedhje. Mungesa e procesit për t’i dhënë Kosovës presidentin, i faturohet vetëm një identiteti, veç një partie e ajo është partia që i ka fituar zgjedhjet, që edhe përderisa po flasim nuk e ka vendosur një emër, apo një numër të kandidatëve por e mban në amulli një shtet dhe një Kosovë”, theksoi Tahiri.