Kosova po vazhdon të thellojë varësinë nga mallrat e importuara, me importet që vit pas viti po shënojnë rekorde të reja.
Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se nga viti 2021 deri në fund të majit 2026, vlera e mallrave të importuara ka kaluar 32 miliardë euro.
Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 2.92 miliardë eurosh, rreth 150 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Importet janë rritur nga 4.65 miliardë euro në vitin 2021, në rreth 7 miliardë euro në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 50 për qind.
Në faturën e madhe të importeve përfshihen derivate të naftës, energjia elektrike, automjetet, makineritë, materialet ndërtimore dhe produktet ushqimore.
Ndërkohë, eksportet vazhdojnë të jenë dukshëm më të ulëta.
Shifrat tregojnë se konsumi në Kosovë vazhdon të mbështetet në masë të madhe te produktet e huaja, ndërsa prodhimi vendor ende nuk po arrin ta ndjekë ritmin e kërkesës.