Aleanca Kosovare e Bizneseve shpreh shqetësim për gjendjen kaotike në sektorin e ndërtimit. Statistikat tregojnë se mbi 75% e ndërtimeve janë pa leje banimi, ndërsa mbi 180 mijë banesa mbesin bosh – shumica të blera nga diaspora, por të pashfrytëzuara.
Kjo tregon mungesë të theksuar të politikave zhvillimore dhe planifikimit urban. Kapitali i diasporës, që duhej të ishte motor i ekonomisë, po shkon në banesa të zbrazëta e jo në prodhim, eksporte apo krijim të vendeve të punës. Ky trend rrezikon tronditje financiare dhe dëmton mirëqenien afatgjatë të qytetarëve.
“Po ndërtojmë qytete të zbrazëta, me banesa të pashfrytëzuara, ndërsa rinia largohet çdo ditë”, theksohet në reagimin e AKB-së.