Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është arsyetuar për ngecjen sa i përket Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, për çka Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, sot tërhoqi vërejtjen nga samiti që u mbajt në Tiranë.
Kurti tha se vendi është prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat, duke përmendur vonesat për qeverinë e re, që u shkaktuan pasi ai vetë s’i pati numrat e as partitë e tjera nuk e patën shumicën.
“Por ne jemi prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat. Vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë.”
Ai nuk la pa përmendur procesin zgjedhor që do të mbahet më 28 dhjetor, zgjedhjet e treta brenda këtij viti, që Kurti thotë se tregojnë qëndrueshmëri të demokracisë dhe fuqi të institucioneve.
“Tani po shkojmë drejt zgjedhjeve të treta brenda një viti, të cilat, siç kanë treguar dy të mëparshmet, do të jenë të lira, të ndershme dhe konkurruese, duke treguar qëndrueshmërinë e demokracisë sonë dhe fuqinë e institucioneve tona. Jam i bindur se këto zgjedhje do të rezultojnë në një qeveri të re që do të ecë shpejt në zbatimin e Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes.
Ne i mirëpresim nismat e reja. Gjithashtu e kuptojmë se përparimi ynë individual drejt bashkimit me Tregun Unik të BE-së është i lidhur ngushtë me përparimin tonë kolektiv në lëvizshmërinë dhe tregtinë rajonale, ose, siç do të thoshte Komisioni, Shtylla e Parë është e lidhur me Shtyllën e Dytë të Planit të Rritjes.” – shkroi ai në Facebook.