November 24, 2025
1 min read

KPK mohon deklaratat për kërcënime: Takimi për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit ishte i hapur dhe pa presione

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar ndaj deklarimeve të disa anëtarëve të tij, të cilët javën e kaluar pretenduan se kishin kërkuar mbrojtje nga institucionet e sigurisë, duke u shprehur se kishin qenë objekt kërcënimesh gjatë zhvillimeve të fundit.

Në reagimin zyrtar, KPK i cilëson këto pretendime si “tërësisht të pavërteta dhe të pabazuara”.

“KPK deklaron se janë tërësisht të pavërteta dhe të pabazuara deklarimet e disa anëtarëve të Këshillit se kinse kanë qenë subjekt i ‘kërcënimeve’ gjatë zhvillimeve të fundit në institucion. Asnjë fakt, provë apo element objektiv nuk është paraqitur për të mbështetur pretendime të tilla”, thuhet në njoftim.

Institucioni thekson se, nëse ekziston dyshim i bazuar për ndonjë kërcënim, ai duhet raportuar tek organet kompetente, e jo të krijohen perceptime të rreme në opinion.

KPK sqaron se mbledhja ku u diskutua shkarkimi i Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është zhvilluar në mënyrë të hapur dhe transparente.

“Takimi i KPK-së ka qenë plotësisht i hapur dhe transparent dhe është zhvilluar në prani të publikut dhe mediave. Katër anëtarë të Këshillit, përfshirë U.D. të Kryeprokurorit të Shtetit, kanë zgjedhur ta braktisin takimin me vullnetin e tyre, pa pasur asnjë kërcënim apo presion”, thuhet në reagim.

KPK thekson se secili anëtar gëzon pavarësi funksionale dhe imunitet në ushtrimin e detyrave, ndaj deklaratat për presione i konsideron “të papranueshme dhe të pambështetura”.

Këshilli njofton se së shpejti do të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm për të trajtuar situatën e krijuar.

“KPK garanton publikun se do të mbetet i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, pavarësisht sfidave dhe përpjekjeve të kujtdo për ta penguar këtë proces”.

Reagimi i KPK-së vjen pas një jave tensionesh të brendshme dhe polemikash lidhur me procedurat për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit të shtetit.

Latest from Blog

Keqllogaritja që mund ta destabilizojë Ballkanin

Gara në armatim ekziston prej shekujsh, por pas Luftës së Dytë Botërore mori formë globale dhe sistematike, sidomos midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Armët bërthamore, raketat
Go toTop