October 27, 2025
2 mins read

KQZ fillon votimin jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, dërgohen fletëvotimet për diasporën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të hënën (27 tetor) ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjdhjeve për Kryetarë të Komunave.

Sipas njoftimit të KQZ-së, kjo periudhë e votimit (27 tetor – 8 nëntor 2025) do të vlejë vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).

Po ashtu, sipas KQZ-së, ky numër i votuesve, i takojnë komunave, të cilat, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, si: Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49).

Fillimin e votimit jashtë Kosovës ende pa u certifikuar rezultatet përfundimtare, KQZ e ka arsyetuar me shmangien e vonesave.

“KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Aktualisht, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare për 35 komuna, 15 prej të cilave janë pjesë e listës në të cilat ka filluar votimi me postë jashtë Kosovës, ndërkaq 3 të tjera, si Prishtina, Juniku dhe Mamusha, ende s’kanë rezultat përfundimtar për shkak të ankesave në PZAP.

Në vazhdim të njoftimit të KQZ-së tregohet se ky instituicion do të sigurohet që “shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, KQZ ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban nga një fletëvotim, një për zgjedhjet për Kryetar Komune”.

KQZ ka bërë të ditur se “zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimin; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës”.

Detyrë e votuesit, sipas KQZ-së, pasi të pranojë pakon me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ.

Gjithashtu, KQZ ka bërë të ditur se ka filluar pocesin e dërgimit të pakove në disa shtete dhe “shërbimet postare do të përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit”.

Për votimin jashtë Kosovës, KQZ ka hapur kutitë postare në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop