Kryetari i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gerd Hoxha është shfaqur i përlotur pas krimit të rëndë që ndodhi dje në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
Para gazetarëve, Hoxha e cilësoi ngjarjen jashtë çdo imagjinate, ndërsa tha se është e pamundur që qytetarët të marrin drejtësi, nëse gjyqtarët janë të kërcënuar.
“Nuk kam fjalë ta përshkruaj dhimbjen që ndiej personalisht, humbëm një koleg, një njeri me shumë vlera, më besoni është jashtë çdo lloj imagjinate që mund të ndodhin gjëra të tilla. Besoj se sot është koha që shoqëria shqiptare të reflektojë thellë për këto ngjarje makabre, institucionet shtetërore të reagojnë me urgjencë, është koha të thirret një forum kombëtar për t’i dhënë fund një herë e mirë këtyre ngjarjeve të dhimbshme për t’i siguruar qytetarëve drejtësi dhe është e pamundur të marrin drejtësi nëse gjyqtarët janë të kërcënuar. Ju kërkoj ndjesë për gjendjen emocionale. Gjyqtarët janë shumë të tronditur por nuk frikësohen për të dhënë drejtësi”, tha Hoxha.