Sipas raportimit të gazetës turke “Sabah”, emri i ri që ka hyrë në agjendën e Beshiktashit është mesfushori shqiptar Kristjan Asllani, i cili luan si i huazuar te Torino, ndërsa kartoni i tij është në pronësi të Interit.
23-vjeçari nuk ka gjetur ambientin e duhur te Torino dhe ka nisur kërkimin për një klub të ri. Përveç Beshiktashit, interesim për futbollistin kanë shfaqur edhe Genoa dhe Girona.
Në lajm thuhet se drejtuesit bardhezinj kanë marrë informacion mbi kushtet financiare të Asllanit dhe se ai është i hapur dhe e sheh me pozitivitet transferimin te klubi turk.
Kristjan Asllani, i dalë nga akademia e Empolit, u transferua te Interi fillimisht si i huazuar në vitin 2022 dhe një vit më pas u ble përfundimisht për 15.7 milionë euro.
Me skuadrën nga Milano, Asllani ka zhvilluar 99 ndeshje, duke shënuar 4 gola dhe dhënë 5 asistime. Ndërsa këtë sezon me fanellën e Torinos ka luajtur 16 ndeshje, pa dhënë kontribut në gola.