Rrëfimi i Dolce-s gjatë mbrëmjes “Prime” në Big Brother VIP Kosova, ku ajo tregoi vështirësitë e rritjes në emigrim dhe bullizmin në shkollë për shkak të origjinës shqiptare, nuk u prit mirë nga një pjesë e publikut.
Në rrjetet sociale shpërthyen kritikat, ku shumë ndjekës e konsideruan historinë e saj si “të rëndomtë” dhe jo aq tronditëse sa pritej, duke e ironizuar me krahasime të ndryshme.
Ky reagim i ndjekësve ka sjellë reagimin e fortë të ish-banores së BBVK, Lelës.
Përmes një videoje, ajo është shprehur e shokuar me mentalitetin e treguar në rrjet, duke mbrojtur faktin që çdo njeri ka historinë e tij të dhimbjes. Lela theksoi se e kupton plotësisht Dolce-n, pasi edhe ajo me familjen e saj kanë kaluar sfida të ngjashme kur kanë vendosur të jetojnë jashtë vendit, ku përballja me paragjykimet dhe mungesa e gjërave bazike ka qenë e përditshme.
“Atëherë, më kallëzoni ju, çka është për juve një rrëfim i dhimbshëm? A duhet patjetër me humb familjarë, a duhet me u rrah dikush që ju ta quani dhimbje?”, si mund të krahasoni bullizmin e Dolce-s me “mungesën e një iPhone-i”, ka pyetur ajo e revoltuar, duke shtuar se braktisja e vendit dhe fillimi i jetës nga zeroja në një vend të huaj ku askush nuk të njeh, është një sakrificë e madhe.
Lela ka thumbuar veçanërisht disa video në TikTok, ku shiheshin gra duke qeshur dhe duke e qeshur bullizmin e Dolce-s në shkollë.