Albulena Haxhiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj – Bujupi e Besa Baftiu i shpëtuan aktakuzës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Më 6 mars të 2026-ës, Gjykata Themelore në Prishtinë e refuzoi aktakuzën ndaj tyre pasi që ky rast arriti parashkrimin absolut të ndjekjes penale. Aktakuza ndaj Haxhiut e të tjerëve u ngrit më 8 prill të 2016-ës, gati dhjetë vjet më parë, kur në shenjë proteste kundër nënshkrimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, Gjykata e shkallës së parë as për një dekadë nuk arriti t’i japë epilog këtij rasti. Megjithatë, mbrojtja e të akuzuarve, parashkrimin e këtij rasti e vlerësoi si triumf të drejtësisë.
Kryeparlamentarja e tanishme e ish-deputetët nuk janë pushtetarët e vetëm që i shpëtuan ligjit, për shkak se veprat për të cilat akuzoheshin se i kryen u vjetërsuan, e si rezultat u arrit parashkrimi absolut i ndjekjes penale. Gati 3 vjet më parë parashkrimit të lëndës i shpëtoi edhe paraardhësi i Haxhiut në këtë pozitë, Glauk Konjufca.
Në 2023-ën, kur Konjufca ishte ende në krye të Kuvendit, iu parashkrua vepra penale “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, në gjykimin e hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend. Sipas aktakuzës, në seancën e Kuvendit të Kosovës të 10 gushtit të vitit 2016, në kohën kur Konjufca ishte deputet, kishte hedhur gaz lotësjellës në sallë, me ç’rast ishte pamundësuar qëndrimi në sallë.
Për shkak se për veprën “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” është paraparë dënimi me burgim prej 3 mujave deri në 3 vjet dhe ndjekja penale për këtë vepër kishte nisur më 10 gusht të 2016-ës, nga ajo kohë kaloi dyfishi i ndjekjes penale dhe rasti u parashkrua në tetor të 2023-ës.
Atë vit, iu vjetërsua lënda edhe një bashkëpartiaku të Haxhiut e Konjufcës. Më 14 mars të 2021, një javë para se të marrë detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës iu ngrit aktakuza për huliganizëm dhe vepra të tjera nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokuroria e akuzonte Sveçlën dhe 12 zyrtarë e aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje se në protestën e 27 qershorit të 2013-ës, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënie Kosovë – Serbi, përmes veprimeve të dhunshme dhe huligane, ata kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe dhe mjete piroteknike, duke lënduar disa zyrtarë policorë, si dhe duke dëmtuar uniformat, pajisjet e tyre, po ashtu edhe veturat e Qeverisë dhe Policisë.
Sidoqoftë, Sveçla doli pa ther në këmbë nga ky proces, pasi që më 27 qershor të 2023-ës, u bënë dhjetë vjet nga kryerja e këtyre veprave dhe lënda përfundoi pa epilog, pasi që u arrit përshkrimi absolut i veprave për të cilat akuzoheshin./ K.Kosova