August 21, 2026
1 min read

Kurti e Abdixhiku pa takim që nga e mërkura, analisti: Po konsumohet koha për kalkulime zgjedhore

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk janë takuar më që nga e mërkura për të vazhduar diskutimet rreth zgjedhjes së një presidenti konsensual dhe formimit të institucioneve.

Në takimin e fundit, dy liderët kishin diskutuar edhe për emra konkretë që mund të propozoheshin për postin e presidentit.

Nga LDK-ja kanë bërë të ditur se aktualisht nuk është planifikuar ndonjë takim i ri, ndërsa nga LVV-ja nuk kanë dhënë detaje nëse ndërkohë ka pasur diskutime të tjera.

Analisti politik Albinot Maloku vlerëson se mungesa e zhvillimeve konkrete mund të jetë konsumim i kohës për t’iu afruar afateve të mundshme zgjedhore.

“Unë nuk po shoh ndonjë kontribut të këtyre bashkëbiseduesve në rrafshin e kthimit të rendit kushtetues, sa po shoh në konsumin e kësaj kohe për të kalkuluar proceset zgjedhore”, ka deklaruar Maloku.

Sipas tij, vazhdimi i krizës politike dhe institucionale po prodhon pasoja në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë.

Pas takimit të së mërkurës, Kurti dhe Abdixhiku kishin deklaruar se situata kërkon zgjidhje urgjente, duke shprehur gatishmëri për gjetjen e një kandidati konsensual për president jashtë politikës.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur nëse do të ketë një takim të ri mes tyre.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop