October 21, 2026
1 min read

Kurti kërkon hapa konkretë nga BE-ja: Kosova synon statusin e vendit kandidat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për përshpejtimin e reformave dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian.

Kurti ka theksuar se funksionalizimi i plotë i institucioneve krijon kushte për përshpejtimin e reformave, duke përmendur edhe hapat e ndërmarrë për integrimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Sipas tij, ligji i fundit për integrimin në SEPA pritet t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se së shpejti pritet të nisin negociatat për përfshirjen e Kosovës në skemën “Roam Like at Home”, e cila do t’u mundësonte qytetarëve përdorimin e shërbimeve të telefonisë mobile pa tarifa shtesë të roamingut.

Gjatë bisedës me komisioneren Kos, Kurti ka kërkuar që përparimi demokratik i Kosovës, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së të përkthehen në hapa konkretë drejt integrimit evropian.

Në këtë drejtim, ai ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Komisionit Evropian për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, duke rikujtuar se Kosova i ka ratifikuar të gjitha, përfshirë marrëveshjen për njohjen e diplomave.

Ai ka kërkuar që këto marrëveshje të zbatohen nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë.

Latest from Blog

Go toTop