August 14, 2026
1 min read

Kurti: “LDK-ja duhej të hynte në qeveri”, zbulon se u ka shkruar liderëve për çështjen e Presidentit

Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se LDK-ja është dashur t’i bashkohej partisë së tij në një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Deklarata e Kurtit vjen pas qëndrimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se partia e tij nuk do t’i vazhdojë negociatat për bashkëqeverisje me LVV-në.

Kurti ka thënë se një marrëveshje politike mes dy subjekteve nuk do të duhej domosdoshmërisht të ishte identike me rezultatin zgjedhor, por as të mos e deformonte atë në mënyrë të tepruar.

“Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje. Ta kemi një marrëveshje politike. Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve, 53 me 18, por edhe deformimi i rezultatit nuk mund të jetë”, deklaroi ai.

Kurti ka treguar edhe ofertën që, sipas tij, LVV-ja ia ka bërë LDK-së. Në rast se kandidati i LVV-së për president do të ishte Glauk Konjufca, LDK-së i është propozuar posti i zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. Nëse do të arrihej një kandidat konsensual për president, oferta do të ishte zëvendëskryeministri dhe tri ministri.

Ai ka theksuar se LVV-ja është e gatshme të heqë dorë nga posti i presidentit nëse kjo do të ndihmonte në arritjen e një marrëveshjeje.

“Nuk është pak që nëse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ta zëmë, bëhet zëvendës i imi në qeveri. Nuk është pak edhe nëse rezultati të ishte edhe më i ngushtë”, shtoi Kurti.

Ndërkohë, Kurti ka bërë të ditur se, bazuar në idenë e Abdixhikut, u është drejtuar tre liderëve të partive politike me kërkesë për takim, me synimin që të diskutojnë dhe të arrijnë një marrëveshje për Presidentin.

“Me idenë e Abdixhikut, iu kam shkruar të tre kryetarëve të partive, që sa më parë të takohemi e të merremi vesh për presidentin”, tha Kurti, duke shtuar se në diskutim duhet të përfshihen edhe emrat e mundshëm për këtë pozitë.

Latest from Blog

Go toTop