Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim senatoren amerikane Joni Ernst, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara.
Kurti e cilësoi Ernst si një nga mbështetëset e mëdha të Kosovës dhe ndër avokueset më të zëshme të vendit në Kongresin amerikan.
Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet ekonomike, situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së.
Në fokus ishte edhe prania ushtarake amerikane në Kosovë, me ç’rast Kurti kërkoi që Kampi Bondsteel të shndërrohet në një prezencë të përhershme ushtarake amerikane.
“Një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon, si dhe një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore”, deklaroi Kurti.
Takimi vjen pas atij që Kurti dhe Ernst kishin zhvilluar në shtator të vitit të kaluar në Washington D.C.
/Demantim News/