February 6, 2026
1 min read

Kurti takohet me grupin e alpinistëve, që do të ngjisin majën e Kilimanxharos

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, mirëpritën pjesëtarët e Klubit Alpin “Prishtina”, të cilët po përgatiten për ngjitjen e radhës, majën e Kilimanxharos.

Gjatë takimit, kryeministri u njoftua për planet dhe përgatitjet e fundit të grupit para nisjes për në Tanzani, ku synojnë ta ngjisin majën e Kilimanxharos, në lartësi prej 5895 metrash, në ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Organizatorët dhe përfaqësuesit e grupit të alpinistëve u shprehën se kjo ide është menduar si një formë e përfaqësimit dhe promovimit të vendit përmes sportit malor.

Duke i falënderuar për vizitën, kryeministri Kurti i përgëzoi për angazhimin në promovimin e vendit tonë dhe u uroi fat dhe suksese në këtë ngjitje të radhës, me rëndësi të veçantë.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop