January 14, 2026
1 min read

Kurti takon Walkerin, nesër të dy marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Reçakut

Në prag të shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në një takim ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe bashkëpunëtorë.

Siç njofton Kryeministria, gjatë bisedës, Kurti u shpreh se është gjithmonë i lumtur ta mirëpresë dhe ta takojë ambasadorin Walker, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë “për rolin historik” që ai ka pasur për popullin e Kosovës në ekspozimin e krimeve gjenocidale të Serbisë, për miqësinë e çmuar që vazhdon dhe për angazhimin e tij të pareshtur në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë.

Në takim thuhet se është bashkëbiseduar edhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për përgatitjet për ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila do të mbahet nesër në komunën e Shtimes, ku të dy do të marrin pjesë.

Sipas njoftimit, ambasadori Walker falënderoi për takimin dhe bisedën, “dhe e uroi kryeministrin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025”.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop