March 27, 2026
2 mins read

Kurti u prit nga Macroni në Paris, diskutuan për integrimin evropian dhe sigurinë e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, zhvilloi vizitë dhe takim me drekë pune me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili e mirëpriti në Pallatin Elize në Paris.

Në këtë takim u theksua roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.

Siç bën me dije Zyra për Informim e Kryeministrisë, aty u diskutua edhe për integrimet dhe sigurinë në Evropë.

“Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ai nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë, duke e renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Këtu, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, u tha në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se kryeministri foli edhe për sigurinë e Kosovës që, sipas tij, para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior, Serbinë, ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë. Po ashtu, u fol edhe për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se u bisedua edhe për planet dhe investimet në edukim, si dhe organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë-Francë, “pas atij të suksesshëm të mbajtur në muajin shkurt sivjet në Prishtinë”.

“Në këtë kontekst, Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë janë thirrje për mbështetjen dhe angazhimin e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre”, u tha në njoftimin e Kryeministrisë.

Takimi thuhet se konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit evropian e bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës.

“Presidenti Macron e uroi edhe njëherë kryeministrin Kurti për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti shprehu falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të Francës ndaj Kosovës”, u theksua në njoftim.

Në takim morën pjesë edhe ministri Francez i Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, si dhe Ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, e Konsulli i Përgjithshëm në Strasburg, Lulzim Hiseni.

Latest from Blog

Go toTop