November 28, 2025
3 mins read

Kurti uron 28 Nëntorin, është data që ndërthur pazgjidhshmërisht fatin e kombit tonë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët me rastin e 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si nyjen më të fortë që i lidh shqiptarët me historinë e tyre dhe me rrugën drejt lirisë.

Në urimin e tij, Kurti tha se asnjë komb tjetër nuk e ka fatin e vet të ndërthurur me kaq shumë ngjarje historike në një datë të vetme, siç është 28 Nëntori për shqiptarët.

“Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë”, shkroi Kurti.

Ai rikujtoi ngritjen e flamurit të Kastriotëve në Krujë më 1443, shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 1912, lindjen e Adem Jasharit më 1955 dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997, ngjarje që, sipas tij, kanë ndërtuar rrugën e lirisë, dinjitetit dhe identitetit kombëtar.

“Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”, theksoi kryetari i LVV-së.

Kurti theksoi se si popull evropian, shqiptarët duhet të shikojnë kah e ardhmja dhe kah “Nëntori i Tretë”, duke nënkuptuar përmbushjen e aspiratave të mbetura të kombit. Ai uroi që kjo ditë të vijë sa mëshpejt.

“Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!

Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:

Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”, ishte urimi i Kurtit.

Latest from Blog

Dy vajza të mitura zhduken Kosovë

Policia e Kosovës ka raportuar dy raste të zhdukjes së vajzave të mitura. Rasti i parë ka ndodhur në Malishevë, ku një vajzë e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet
Go toTop