Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka folur pë zhvillimet e fundit politike dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke theksuar se ato mund të sjellin kosto të mëdha dhe të mos ofrojnë zgjidhje.
Kurti bëri të ditur se sot ishte planifikuar të mbahej edhe një seancë e Kuvendit për miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, por sipas tij kjo nuk u bë e mundur.
“Në orën 14:00 ishte planifikuar edhe një seancë për marrëveshjet ndërkombëtare, e cila na u pamundësua. Marrëveshje me BERZH-in, me Bankën Evropiane për Investime, marrëveshja për Fondin Saudit për Zhvillim – pra 121 milionë euro në vlerë që dedikohen për projekte të rëndësishme jetike, e me rastin e shpërndarjes së Kuvendit pamundësohen këto”, ka deklaruar ai.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se në situatën që ndodhet vendi, s’mund të flitet për zgjedhje të reja, meqë duhet të flasë Gjykata Kushtetuese për lëndët që janë deponuar, shkruan Demantim.com.
Ndër të tjera ai ka folur edhe për vendimin e Osmanit për shpërndarje të Kuvendit, duke thënë se shpërndarja ndodh vetëm kur konsumohen tri raunde të votimit dhe dështojnë të triat.
“Tash ndodhemi në një situatë ku s’mund të flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese meqë kemi mospajtime dhe kërkesë para këtyre. Ata kanë një materie. Deputetët s’i mbushën as katër javë të detyrës së tyre dhe sot në mëngjes u njoftuar nga mediat se u shpërnda Kuvendi.
Neni 86 thotë se Kuvendi shpërndahet nëse në raundin e tretë s’i ka marrë 61 vota. Ne s’kemi mbrri atje, s’u konsumua as raundi i parë e lërë më raundi i tretë”, ka thënë Kurti në konferencë./Demantim.com/