October 14, 2025
6 mins read

Kurtit s’i ngutet për qeverinë e re, e nënvizon ditën e fundit të afatit, por asnjë shenjë për bisedimet që i paralajmëroi

Afati i shkurtër dhe perspektiva e krijimit të një qeverie të re në Kosovë nuk po e ngutë mandatarin. Albin Kurti tha se këto ditë po përqendrohet në “analizën gjithpërfshirëse dhe të hollësishme të rezultatit të zgjedhjeve lokale”. Këtë javë tha se do t’i nisë bisedimet për qeverinë e re, por shenja ende nuk ka. Kryetari i LVV-së thjesht e thekson 26 tetorin si ditën e fundit të afatit. Ditët e fundit zgjedhjet e reja po përmenden më shpesh dhe po përjashtohen më pak.

Albin Kurti ka nisur numërimin mbrapsht, ndërsa i kanë mbetur 12 ditë për ta krijuar një shumicë të re parlamentare.

Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje po i shkojnë tri ditët e para nga afati 15-ditor për t’i bërë 61 votat në Kuvend, ku duhet ta paraqesë për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë së re.

Presidentja Vjosa Osmani e mandatoi atë të shtunën, më 11 tetor, për ta formuar qeverinë e re, tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare. Këtë vendim ajo e mori pasi më në fund u zgjidh një ngërç që zgjati mbi gjysmë viti për konstituimin e Kuvendit.

Këto ditët e para prej kur i ka nisur afati, Kurti është i zënë me zgjedhjet lokale.

“Këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht në analizën gjithpërfshirëse dhe të hollësishme të rezultatit të zgjedhjeve lokale”, tha të hënën në një konferencë për media. “Por, shumë shpejt, qysh në këtë javë, do të fillojmë komunikimin dhe bisedat edhe për qeverinë qendrore”, shtoi ai.

Përmendi se “dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e Kuvendit ku unë prezantoj kabinetin e ri qeveritar është 26 tetori”.

I pyetur nëse do ta presë ditën e fundit për ta çuar në Kuvend përbërjen e qeverisë së re, Kurti nuk pohoi, por e përmendi sërish 26 tetorin.

“Unë vetëm tregova kur është afati i fundit. Kjo nuk do të thotë që seanca për qeverinë e re do të jetë më 26 tetor, por 26 tetori është dita e mbrëmë kur mund të mbahet ajo. Sepse tash po numërojmë teposhtë. Përderisa më herët nuk numëronim teposhtë, vetëm përpara, tash po numërojmë teposhtë. Dhe vura theksin te 15-ditëshi, i cili përfundon më 26 tetor”.

“Në momentin që ne konsiderojmë që komunikimi dhe bisedat kanë rezultuar të suksesshme, ne pa vonesë, nuk e presim 26 tetorin. Por 26 tetori është i fundit”, tha Kurti.

Lideri i LVV-së tha se bisedimet për qeverinë e re do t’i fillojë “këtë javë”.

“Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë. I duhet një mandat i ri i qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e 9 shkurtit sivjet. Por, gjithashtu, edhe unë si kryeministër në detyrë kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar. Dhe duhet të kemi një mandat të rregullt, i cili pa dyshim që do të fillojë porsa ne ta nxjerrim në seancë kuvendi përbërjen e re të Qeverisë Kurti 3”, tha ai.

Kurti refuzoi të tregojë se kë prej subjekteve politike e preferon për partner në qeverinë e re. Nuk tha as se cilën parti do ta ftojë të parën për bisedime.

“Komunikimi dhe bisedat që do të zhvillojmë janë ato që do ta përcaktojnë përbërjen e shumicës së re në Kuvendin e Republikës që do ta votojë Qeverinë Kurti 3. Tash për tash, duhet t’ia lëmë kohën komunikimeve dhe bisedave që do të zhvillohen dhe unë nuk mund të flas më shumë se kaq në këtë fazë”, tha ai.

Kur u pyet për zgjedhje, Kurti tha kështu “Ne po bëhemi gati për Qeverinë Kurti 3. Nëse nuk ka qeveri Kurti 3, pa dyshim që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare”.

Edhe sot, Kurti konfirmoi se s’ka nisur ende bisedimet për qeverinë e re, nga angazhimi për “analizimin e rezultateve” të zgjedhjeve lokale.

“Tepër shumë punë këto ditë. Analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet t’i shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvillojë ato komunikimet por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se dhjetë ditë”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha të dielën se beson, por edhe shpreson, që do të ketë zgjedhje të reja parlamentare këtë vit.

“Unë besoj që do të votojmë më 9 nëntor në rundin e dytë, edhe këtu në Prishtinë, por edhe në shumë komuna tjera të Kosovës, ndërsa po ashtu besoj, edhe shpresoj që do të votojmë jo më larg se në dhjetor edhe për zgjedhjet parlamentare”.

Ato tashmë po i sheh si zgjidhje të vetme nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

“Me atë që ka ndodhur deri tash, zgjedhjet po duken zgjidhja e vetme”, tha ai javën e kaluar, dy ditë para se Kuvendi të konstituohej.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, me të cilin Albin Kurti u takua e bisedoi më së shumti – por pa sukses – për krijimin e një shumice të re, ka thënë së fundmi se s’bën marrëveshje me LVV-në me Dimal Bashën kryetar të Kuvendit dhe këtë e ka përsëritur në disa intervista. “Me Bashën nuk duhet as unë as askush me qenë e hapur për marrëveshje me LVV-në”, ka thënë ai.

Limaj ka insistuar që ta marrë postin e kryeparlamentarit pa e bërë partinë e tij pjesë të qeverisë së re me Kurtin, diçka që ky i fundit s’e kishte përfshirë në një ofertë finale që ia kishte bërë atij për marrëveshje.

Disponimi në bisedimet Kurti-Limaj përshkruhej si “shumë i mirë” nga të dy partitë, ndërsa javët e fundit s’është përmendur se ka pasur ndonjë takim.

Kurti kishte deklaruar se për Limajn kryeparlamentar “nuk ka pasur dakordim” brenda grupit parlamentar të LVV-së.

Për të qëndruar më tej në pushtet, që më 2 prill Kurti kishte nisur një përpjekje e cila e humbi shpejt intensitetin fillestar. Pasi bisedoi me përfaqësues të partive politike minoritare, nuk arriti t’i bindë të paktën tre deputetë që t’i sigurojë votat e nevojshme.

Deputeti egjiptian, Veton Berisha, deputetja boshnjake Duda Balje dhe ai i komunitetit goran, Adem Hoxha nuk ia kishin premtuar votat e tyre. Ata kishin kërkesa specifike për Kurtin të cilat nuk kishin marrë aprovim.

Kurti pa se përpjekja nuk ishte e lehtë, ndërsa dy ditë pasi i përfundoi takimet e para me përfaqësues të pakicave evidentoi se Serbia “po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë” dhe e thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.

Fatmir Limaj ishte i pari të cilin kryetari i LVV-së e takoi menjëherë pas diskutimeve me përfaqësuesit e pakicave.

Më pas i dërgoi kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut ftesa për bashkëqeverisje, por u refuzua dy herë.

Një propozim i LDK-së për qeveri të unitetit u refuzua nga LVV-ja dhe kështu u bë i pamundur edhe të shqyrtohej më tej nga partitë e tjera.

PDK-ja fillimisht donte ta priste dështimin e mundshëm të LVV-së për të provuar më pas që qeverinë e re ta bëjë pa këtë parti. Këtë e shpresonte edhe AAK-ja, por kjo ide u shpërbë shpejt kur të njëjtin disponim s’e shfaqi LDK-ja.

Latest from Blog

Go toTop