Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar rëndësinë e diplomacisë ekonomike në promovimin e bizneseve kosovare dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në kuadër të Konferencës së IX-të të Ambasadorëve, Kusari-Lila është takuar me ambasadorët e Kosovës, me të cilët ka diskutuar për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik me vendet ku ata shërbejnë.
Ajo prezantoi punën e Ministrisë në mbështetje të prodhuesve vendorë, rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së prodhimit, si dhe përmirësimin e kushteve për investitorët e huaj.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të ambasadave në hapjen e tregjeve të reja për produktet kosovare, rritjen e eksporteve dhe promovimin e Kosovës si destinacion për investime.
Në kuadër të sesionit “Business to Ambassador”, ambasadorët zhvilluan takime edhe me biznese nga sektorë të ndryshëm, përfshirë teknologjinë, prodhimin, agro-përpunimin, industrinë kreative dhe turizmin.
Kusari-Lila theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, përfaqësive diplomatike dhe sektorit privat duhet të përkthehet në iniciativa konkrete për zhvillimin dhe transformimin e ekonomisë së Kosovës.
/Demantim News/