February 12, 2026
1 min read

LBK uron konstituimin e institucioneve, kërkon që prioritet të jetë ekonomia

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka uruar konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke e vlerësuar këtë moment si një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit institucional, funksionalizimit të plotë të shtetit dhe krijimit të kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, theksoi se Qeveria e re dhe Kuvendi i Kosovës duhet të veprojnë me një dinamikë të shtuar për të kompensuar kohën e humbur prej më shumë se një viti gjatë periudhës parazgjedhore dhe mungesës së funksionalitetit të plotë institucional.

Komuniteti i biznesit, siç thuhet në njoftim, mirëpret fillimin e punës së kabinetit të ri qeveritar, të udhëhequr nga Kryeministri z. Albin Kurti, si dhe zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit znj. Albulena Haxhiu dhe nënkryetarëve, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm për avancimin e reformave dhe forcimin e stabilitetit ekonomik.

“Njëherit, Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon që prioritet kryesor i institucioneve të reja të jetë ekonomia, përshpejtimi i reformave në legjislacionin ekonomik dhe avancimi i politikave fiskale që mbështesin zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.Po ashtu, konsiderohet urgjente që Kuvendi i Kosovës të procedojë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve funksionale, pasi zhbllokimi i tyre është thelbësor për investimet, zhvillimin ekonomik dhe integrimin ndërkombëtar të vendit”.

LBK ka renditur edhe disa nga prioritetet ekonomike që Qeveria, sipas tyre, duhet të fokusohen në: adresimin e hendekut të shkathtësive dhe “ikjes së trurit”, rritjen e eksportit dhe investimeve të huaja direkte, ratifikimi i marrveshjeve nderkombetare, forcimin e sigurisë juridike për bizneset, përmirësimin e qasjes në financa
zhvillimin e sektorit dhe tregut të energjisë, luftimin e informalitetit, reformat e legjislative ne fushën ekonomisë, vazhimin e reformave fiskale.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet partner serioz dhe profesional në adresimin e sfidave ekonomike dhe në avancimin e politikave që fuqizojnë sektorin privat dhe nxisin rritjen ekonomike të vendit”, thuhet në njoftim.

Latest from Blog

Go toTop