October 24, 2025
1 min read

Limaj: Dyshoj se Kuvendi i Kosovës është i konstituar, nëse ka pasur shkelje kushtetuese çdo gjë bëhet e parëndësishme

Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për emërimin e tij si nënkryetar të Kuvendit dhe çështjen e “gjetjes së ditës”.

Limaj ka theksuar se si jurist dhe njohës i çështjeve kushtetuese, por edhe si pjesëmarrës në ndërtimin e kornizës kushtetuese të shtetit, ai ka dilema serioze lidhur me përbërjen aktuale të Kuvendit.

“Dilema kryesore e imja, si jurist dhe njohës i çështjeve kushtetuese, është se ‘dyshoj’ që Kuvendi i Kosovës është i konstituar”, ka deklaruar Limaj.

Sipas tij, nëse vërtetohet se ka pasur shkelje kushtetuese gjatë procesit, atëherë gjithë veprimet pasuese e humbin legjitimitetin.

“Në qoftë se do të vijë një konstatim dhe të thuhet se ka pasur shkelje kushtetuese dhe se Kuvendi nuk është konstituar, atëherë vijmë në një situatë ku çdo gjë tjetër është jokushtetuese – edhe afatet, edhe ditët, edhe çdo gjë tjetër bëhet e parëndësishme”, ka shtuar ai në RTV Dukagjini.

Limaj gjithashtu ka komentuar edhe qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, nuk e ka dhënë masën e pezullimit, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

“Gjykata Kushtetuese nuk e dha masën e pezullimit; është vendim i saj, ata e dinë mirë arsyen pse. Ama, përderisa nuk ka vendim përfundimtar, kjo çështje mbetet pezull. A kemi konstituim të Kuvendit dhe a e ka shkelur dikush Kushtetutën?”, ka përfunduar Limaj duke shtuar se tashmë në Kuvend ka edhe shkelje individuale.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop