August 17, 2026
3 mins read

“Linja e Jetës” ngre zërin kundër raportimit të vetëvrasjeve: “Po shkelet privatësia dhe dinjiteti i viktimave”

Organizata “Linja e Jetës” ka zhvilluar një protestë kundër mënyrës së raportimit të rasteve të vetëvrasjeve, duke kundërshtuar publikimin e të dhënave private dhe informacioneve të ndjeshme për viktimat dhe familjarët e tyre.

Drejtori i organizatës, Bind Skeja, ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e transparencës për një portal në Kosovë, duke theksuar se, sipas tij, nuk ka informacion zyrtar të qartë se kush janë gazetarët e tij, kush qëndron pas tij, si dhe kush e mbështet apo e financon.

“Sot dimë pak. Ditët e sotme jemi te zyrat e Sinjalit. Kjo sepse ne nuk e dimë nga brendësia e tyre, as nuk e dimë nga ndonjë informacion zyrtar, por e dimë jozyrtarisht. Pak më poshtë është pronari i tyre, Besnik Berisha. Edhe këtë që është pronari i tyre, ne nuk e dimë nga ndonjë informacion zyrtar, por e dimë jozyrtarisht”, është shprehur Skeja.

Ai e ka cilësuar këtë situatë si një paradoks, pasi, sipas tij, portali ka në dispozicion informacione shumë të ndjeshme që lidhen me jetën private të qytetarëve dhe me momentet më të vështira të tyre.

“Kjo është një ironi e madhe, për shkak se Sinjali di gjithçka për ne. Sinjali di momentet tona më të vështira. E di kur jemi në kulmin e vajtimit, e di kur jetojmë dhe e di kur vdesim”, ka deklaruar ai.

Sipas Skejës, të dhënat që lidhen me raste tragjike më pas bëhen publike dhe, sipas pretendimit të tij, përdoren për të tërhequr sa më shumë vëmendje dhe shikueshmëri.

“E tërë këtë informacion, Sinjali e merr, i paketon dhe i dërgon për konsum publik. Brenda ditës, një vdekje tragjike kthehet në një produkt tjetër që ata e shesin, vetëm për më shumë klikime dhe për oreksin e pangopur të Besnik Berishës”, ka thënë ai.

Gjatë fjalimit të tij, Skeja ka përmendur edhe raste ku, sipas tij, janë publikuar ose ripublikuar materiale private që lidhen me viktima.

“E kemi parë gjithashtu rastin kur një video e një djali është ripostuar nga Sinjali muaj më vonë, veç për me ngjallë prapë shikueshmëri. E kemi parë gjithashtu pak ditë më vonë, pas të gjitha reagimeve tona, kur Sinjali sërish publikoi informata private të një viktime”, ka deklaruar Skeja.

Ai ka thënë se protesta është organizuar në shenjë solidariteti me familjet dhe personat që, sipas tij, janë prekur nga mënyra e raportimit të këtyre rasteve.

“Prandaj sot kemi dalë këtu. Kemi dalë për të gjitha familjet që vajtimit të tyre i është shtuar edhe presioni prej Sinjalit. Për çdo individ që pas tentimit të vetëvrasjes u bë personi i njohur për këtë Kosovë, falë Sinjalit. Për çdo person që i është refuzuar kërkesa për dinjitet nga ky portal. Ne jemi me të gjithë ju dhe u japim një zë kërkesës suaj për dinjitet”, ka thënë ai.

Skeja ka kërkuar gjithashtu një reagim të përbashkët nga shoqëria dhe institucionet, duke theksuar nevojën që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

“Nuk mundemi me e kthyer kohën mbrapa, por bashkë mundemi me u siguruar që asnjë familje tjetër mos me u ballafaqua më me portale si Sinjali. Është përgjegjësia jonë, shokë e shoqe, që kur një portal i tillë nuk e rregullon veten, që kur institucionet dështojnë me vite të tëra t’i mbajnë përgjegjës, që ne të punojmë bashkërisht, që të me një zë: Kjo padrejtësi përfundon këtu!”, ka deklaruar ai.

Në përfundim të fjalimit, drejtori i “Linjës së Jetës” ka bërë të ditur se organizata tashmë ka ndërmarrë një hap konkret, duke u bërë thirrje bizneseve që reklamojnë në këtë portal që të ndërpresin bashkëpunimin.

“Sot në mëngjes veçse kemi kërkuar të gjitha bizneseve që blejnë hapësirë reklamuese në Sinjal që të ndërpresin bashkëpunimin e tyre, e pas kësaj do të vazhdojmë me çdo hap tjetër i cili na jep drejtësi. Kjo rrugë mund të jetë e gjatë, por ne besojmë fuqishëm se vetëm së bashku mund të ndalim këtë makth kolektiv. Faleminderit shumë”, ka përfunduar Skeja.

Latest from Blog

Go toTop