Lista Serbe ka organizuar një tubim politik në Mitrovicën e Veriut, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale.
Megjithatë mësohet se aty pritet të performojë këngëtarja Angjella Ignjatoviq, e njohur për këngën “Gnezdo orlovo”, me mesazhe të kontestuara për rikthimin e Serbisë në Kosovë.
Ngjarja është miratuar si elektorale, nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili ka informuar edhe Policinë e Kosovës për sigurinë gjatë zhvillimit të saj.
Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me autoritetet e sigurisë së vendit, mbi mbarëvajtjen e këtij organizimi.
”Jemi të njoftuar për tubimin politik të paraparë nga Lista Serbe që pritet të mbahet në Mitrovicën e Veriut”, u shpreh Veton Elshani, zëvdendësdrejtor i policisë për veriun.
Organizimi i këtij tubimi po kritikohet duke e cilësuar ngjarje provokuese pjesëmarrjen e këngëtares serbe, e cila në interpretimin e (Foleja e shqiponjës) përkrah narrativën e gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit.
Ngjarja organizohet me logon zyrtare të Listës Serbe, e cila në mënyrë të qartë e identifikon këtë event si pjesë të agjendës së saj politike: “Breskvica në qytetin tonë – 8 tetor, ora 20:00, Knez Caffe, Mitrovicë e Veriut”“Biletat mund të merren në zyrat e Listës Serbe.”
Këngëtarja serbe, synonte përfaqësimin e Serbisë në Eurovision me këngën prapa së cilës qëndronin autorë që krijuan gjuhë të rrezikshme të kamufluar brenda vargjeve poetike.
Në tekstin e këngës, dëgjohen vargje që përshkruajnë shqiptarët si “zogj të zinj”, Kosovën si “foleja e shqiponjës” e cila shkatërrohet nga forca natyrore (e cila nënkupton ndërhyrjen ushtarake), dhe rikthimi i “qenies së ndritur” që përfaqëson ushtrinë serbe që shkon ta “çlirojë” territorin.
Veç mbështetjes së hapur nga strukturat politike në Serbi, ‘Breskvica’ dhe kënga e saj janë promovuar gjerësisht edhe nga mediat shtetërore dhe ato të kontrolluara nga Kremlini, përfshirë Russia Today (RT Balkan), e cila publikoi gjatë 2024-ës, një artikull me titullin “Kosovska bitka za Evroviziju” (“Beteja e Kosovës për Eurovision”), ku paraqisnin këngën si simbol të “krenarisë kombëtare dhe luftës për afirmim të Serbisë”.
Kjo ngjaje, e cila po shihet si provokim ndaj shqiptarëve në veri nga Lista Serbe, po ndodh në mes të fushatës zgjedhore dhe ngjall shqetësime për tensione ndërnacionale.