October 26, 2026
1 min read

Lufta kundër trafikimit me njerëz, MPB kërkon masa më të forta dhe më shumë bashkëpunim

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i Autoritetit Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz, të cilin e udhëhoqi zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Viktor Buzhala.

Në këtë takim, Autoriteti diskutoi për angazhimet e institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë periudhës paraprake, sidomos në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz, si dhe për koordinimin e mëtejmë me qëllim të luftimit sa më efikas të këtij fenomeni.

Gjatë takimit u trajtuan edhe rekomandimet e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Trafikimin e Njerëzve (TIP Raporti), me theks të veçantë në forcimin e përpjekjeve për hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve.

Me këtë rast, zëvendësministri Viktor Buzhala kërkoi nga anëtarët e Autoritetit angazhim të vazhdueshëm, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për trajtimin e rekomandimeve të raportit, identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave, si dhe përmirësimin e mekanizmave për parandalimin e kësaj dukurie.

Duke qenë se tetori shënon Muajin e Fushatës Kundër Trafikimit me Njerëz, u theksua rëndësia e intensifikimit të aktiviteteve vetëdijesuese dhe informuese për qytetarët, me qëllim të identifikimit të hershëm të rasteve, informimit për format e trafikimit dhe nxitjes së raportimit të rasteve të dyshuara.

Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe partnerët relevantë, mbetet e përkushtuar në forcimin e masave parandaluese, luftimin e trafikimit me njerëz dhe garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit të viktimave.

Latest from Blog

Go toTop