Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka shprehur ngushëllime familjes Bojku me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të parë të Komunës së Deçanit, Mehmet Bojku.
Me anë të një telegrami të postuar nga faqja e partisë në Facebook, kreu i LDK-së tha se me humbjen e tij, Deçani, Kosova dhe partia LDK kanë humbur një njeri të urtë, të ndershëm dhe të përkushtuar ndaj lirisë, dijes dhe shtetit.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit dhe veprimtarit të shquar, Mehmet Bojku. Me humbjen e tij, Deçani, Kosova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë humbur një njeri të urtë, të ndershëm dhe të përkushtuar ndaj lirisë, dijes dhe shtetit.
Profesor Mehmet Bojku ishte figurë e respektuar e arsimit, ish-i burgosur politik, udhëheqës i luftës dhe kryetari i parë i Komunës së Deçanit i zgjedhur me votë të lirë. Sakrifica, stoicizmi dhe integriteti i tij mbeten shembull frymëzimi për brezat që vijnë.
Udhëheqja, nderi dhe shërbimi i tij i palëkundur ndaj vendit, po ashtu mbeten gurë themeli i të mirës së përbashkët që la pas. Ai do të kujtohet gjithmonë me respekt, mirënjohje dhe mall.
Në këto çaste të dhimbshme, në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bojku, miqve, bashkëpunëtorëve, strukturave tona në Deçan dhe gjithë qytetarëve deçanas.
Pushoftë në paqe.
I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e tij atdhetare!”.