Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka komentuar lidhur me arrestimet e shpeshta të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Serbi.
Ai theksoi se është i angazhuar dhe sa herë ka mundësi diskuton me partnerët për këtë çështje, duke kërkuar zgjidhje.
“Jemi dëshmitarë që disa raste kanë ndodhur në Serbi, kemi pasur reagim të ashpër edhe nga MPJ dhe MPB. Normalisht ne si Ministri e Mbrotjjes që përfaqësojmë trashëgiminë ushtarake të popullit dhe të UÇK-së, jemi të angazhuar dhe diskutojmë sa herë që kemi mundësi me partnerët tanë për të ngritur çështjen e arrestimit të pjesëtarëve të UÇK-së”, tha ai.
Maqedonci theksoi se Serbia vazhdon të zbatojë qasje hegjemoniste në raport me vet ekzistencën e shtetit të Kosovës.
“Serbia vazhdon të zbatojë qasje hegjemoniste në raport me vet ekzistencën e shtetit tonë, pra nuk është problem vetëm një pjesëtar i UÇK-së ose një polic, por Serbia vazhdon me këtë qasje duke mos njohur asnjë arritje të vendit tonë dhe duke e trajtuar Kosovën si pjesë të saj. Problematika në thelb është te qasja hegjemoniste e Serbisë”, deklaroi ai.
Para pak ditësh Serbia arrestoi ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj, për të cilin Ministria e Punëve të Jashtme i dërgoi notë verbale QUINT-it.