Dakordimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president pritet t’i hapë rrugë zhbllokimit të procesit për formimin e institucioneve të reja.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka deklaruar se hapi i parë duhet të jetë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i Legjislaturës së 11-të.
Sipas tij, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhet ta thërrasë pa vonesa vazhdimin e punimeve. Pas konstituimit të Kuvendit, rruga hapet edhe për procedurat e formimit të Qeverisë.
Jakaj ka sqaruar se, nga aspekti kushtetues, për procesin e zgjedhjes së presidentit nevojiten dy kandidatë, ndërsa më pas duhet të thirret seanca për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Seanca konstituive i vazhdon punimet kurdo qoftë që dakordohen partitë politike. Konstituohet Kuvendi dhe mund të zgjidhet qeveria e para ose presidenti, këtu nuk ka ndonjë problem”, ka deklaruar Jakaj.
Sa i përket Bekim Sejdiut, ai është treguar i rezervuar për të vlerësuar paraprakisht nëse kandidati i propozuar do të arrijë të jetë figurë unifikuese.
Sipas Jakajt, kjo mund të vlerësohet vetëm gjatë ushtrimit të mandatit dhe përmes mënyrës se si presidenti i ardhshëm do t’i përdorë kompetencat që ia garanton Kushtetuta.
Një tjetër pikë kyçe mbetet sigurimi i votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit. Në dy raundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, me kusht që në votim të marrin pjesë së paku 80 deputetë.
Jakaj ka theksuar se fillimisht duhet të shihet nëse të gjithë deputetët e LDK-së do ta respektojnë marrëveshjen e arritur me LVV-në dhe do ta mbështesin Sejdiun.
Ai ka ngritur gjithashtu mundësinë që Albin Kurti të kërkojë garanci nga LDK-ja për votat e deputetëve të saj, si dhe mbështetje nga partitë e tjera për të mos mbetur në kufirin minimal të deputetëve të nevojshëm.
LVV dhe LDK u dakorduan më 31 gusht për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për president të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ndërkohë vazhdon të mbetet i pakonstituuar, pasi në dy përpjekjet e deritanishme nuk është arritur zgjedhja e kryetarit dhe përfundimi i procesit konstituiv.
Marrëveshja e fundit mes LVV-së dhe LDK-së tashmë shihet si një zhvillim që mund t’i hapë rrugë tejkalimit të ngërçit dhe krijimit të institucioneve të reja.
/Demantim News/