March 16, 2026
1 min read

Mbi 38 mijë lodra të pasigurta të ndaluara, rrezik për fëmijët

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka ndërmarrë një aksion të gjerë për të kontrolluar tregun e lodrave për fëmijë, duke ndaluar mbi 38 mijë lodra që nuk përmbushnin standardet e sigurisë. Vlera e tyre arrin rreth 100 mijë euro, ndërsa rreziku për shëndetin e fëmijëve konsiderohet i madh.

Gjatë vitit 2026, IQMT ka realizuar një aksion të gjerë inspektimesh, si në zonat doganore ashtu edhe në tregun e brendshëm, ku janë inspektuar mbi 50 subjekte.

Në këtë aksion, janë ndaluar 38,000 copë lodra të pasigurta për fëmijë, të cilat janë kthyer në vendin e origjinës.

Qëllimi i këtyre aksioneve është që në treg të gjenden produkte të sigurta dhe në përputhje me standardet ligjore, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Kriter bazë sipas direktivave të Bashkimit Evropian për importimin e lodrave është shenja CE, e cila tregon se lodrat janë të përshtatura me standardet evropiane të sigurisë, shëndetit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Ekipi i RTK-së vizitoi disa dyqane dhe tregun e gjelbër në Prishtinë, ku u vu re se disa lodra nuk kishin shenjën CE dhe nuk përmbanin informacion mbi origjinën dhe përmbajtjen. Ndërkohë, dyqanet më të mëdha kishin vendosur shenjat dhe dokumentacionin e nevojshëm.

“Me numrin e vogël të inspektorëve është e kuptueshme që ndodh rrjedhje e kontrabandës, veçanërisht me lodra për fëmijë, që shpesh janë edhe të rrezikshme dhe kancerogjene. Duhet të fokusohen më shumë kontrollet parandaluese, pasi lodrat e lira nga Kina apo shtete të tjera mund të dëmtojnë shëndetin e fëmijëve”, tha Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.

Çmimet e lodrave të importuara nga Kina mund të jenë edhe vetëm 1 euro, dhe shpesh mungojnë të dhënat mbi origjinën dhe përmbajtjen e tyre, duke rritur rrezikun për konsumatorët më të rinj.

Latest from Blog

Go toTop