Përkundër narrativës së Qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila i ka proklamuar vitet e fundit si dëshmi të një progresi të jashtëzakonshëm ekonomik duke pretenduar rënie të papunësisë në vetëm 10.9%, pamja aktuale e tregut të punës është dukshëm më e rëndë. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të bazuara në Regjistrimin e Popullsisë (ReKos 2024), tregojnë se shkalla reale e papunësisë ka shënuar rritje, duke arritur në 13.9%.
Mbi gjysma e popullsisë në moshë pune – 548,896 persona nga gjithsej 1,063,687 – mbeten krejtësisht joaktivë ekonomikisht, me një shkallë joaktiviteti prej 51.6 për qind. Situata është veçanërisht alarmante për gratë, ku 65.4 për qind e tyre janë jashtë tregut të punës, ndërkohë që rreth 79 për qind e grave që kërkojnë punë mbeten të papunësuara.
“Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë Shkalla e jo-aktivitetit mbetet një nga sfidat kryesore të tregut të punës në Kosovë me 51,6 %. Kjo dukuri është veçanërisht e theksuar tek femrat, ku shkalla e jo-aktivitetit është 65,4 %, krahasuar me 37,8 % te meshkujt”,thuhet në raport,
Sipas deputetes së LDK-së, Janina Ymeri, politikat e qeverisë si platforma “SuperPuna” kanë dështuar në qëllimin e tyre. Sipas saj, numri i të punësuarve primarë të regjistruar në ATK dhe numri i llogarive aktive në Trust nuk kanë pasur dallim të konsiderueshëm para dhe pas lansimit të kësaj platforme.
“SuperPuna nuk e ka rritur punësimin. Numri i të punësuarve primarë të regjistruar në ATK as numri i llogarive aktive në Trust, nuk ka dallim të konsiderueshëm para dhe pas lansimit të kësaj platforme. Kjo është një nga rrenat e radhës e qeverisë VV për gjoja rritjen e punësimit, një narracion që mund të demantohet lehtësisht me fakte.” – shkroi zonja Ymeri.
Për më tepër, rënia e përkohshme e papunësisë në vitet e kaluara nuk ishte rezultat i hapjes së vendeve të punës.
Siç argumenton Ymeri, kjo shkallë u lehtësua nga ikja e mbi 11,000 personave për lejeqëndrim pune jashtë vendit brenda një viti. Punëkërkuesit thjesht u zhdukën nga regjistrat, duke u “eksportuar” drejt Evropës Perëndimore, çka përmirësoi artificialisht ekuacionin e papunësisë.
“Gjithashtu shkalla e papunësisë është lehtësuar nga ikja e mbi 11 mijë personave për punë jashtë vendit, për lejeqëndrim pune, vetëm brenda një viti, e jo nga punësimi në Kosovë. Ftoj kabinetin qeveritar VV, qoftë Kurti2 apo Kurti 3, se edhe ashtu të gjithë mendojnë çfarë thotë një njeri, të argumentojnë me fakte: Si e ka rritur SuperPuna punësimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin ekonomik?
Për këtë argumentim i pres në cilëndo studio, në ballafaqim, për të treguar të vërtetën për Punësim. Le ta dijnë të gjithë, se ky vend me Kurtët, në qeveri e rrymë, nuk po zhvillohet por po zvogëlohet.” – shkroi deputetja.
Sipas ish-qeverisë Kurti II, në fund të vitit 2023 numri i të punësuarve kishte arritur në 425,000. Megjithatë, të dhënat nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) na tregojnë se numri i llogarive aktive — që përfaqësojnë punësimin e qëndrueshëm, formal dhe që paguan kontribute — sillet rreth shifrës prej 350,000.
Kjo lë një “vrimë të zezë” prej 80,000 deri në 90,000 personash, të cilët Agjencia e Statistikave të Kosovës i llogarit si të punësuar. Të dhënat e Trustit nga ana tjetër sugjerojnë një rritje krejt minimale dhe organike prej vetëm 3% deri në 4% në vit, duke hedhur poshtë pretendimet për rritjet të punësimit në përmasat e pretenduara nga pushteti.