Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka nisur punëtorinë dyditore me temën: “Politikat mbështetëse përmes Programit të Pagesave Direkte (PPD), Programit të Zhvillimit Rural (PZHR) dhe projektet në sektorin e ujitjes”, me qëllim të diskutimit dhe avancimit të politikave mbështetëse për zhvillimin e sektorit bujqësor në Republikën e Kosovës.
Punëtorinë e hapi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, i cili theksoi se politikat mbështetëse për fermerët dhe prodhuesit vendorë mbeten një nga prioritetet kryesore të ministrisë.
“Prioritetet tona kryesore mbeten rritja e prodhueshmërisë në bujqësi, përkrahja e fermerëve të rinj dhe krijimi i mundësive për diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe zhvillimit të sistemit të ujitjes, si dhe sektorit të pyjeve, i cili ka potencial të madh zhvillimor. Për këtë arsye, më 21 të këtij muaji do të plasohet programi i ri për sektorin e pyjeve, ndërsa javën e ardhshme do të prezantojmë edhe programin për sistemin e ujitjes”, tha ministri Muja.
Në këtë punëtori mori pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Venera Çerkini, përfaqësues të departamenteve dhe sektorëve të ndryshëm të ministrisë, si edhe ekspertë të politikave bujqësore dhe zyrtarë institucionalë.
Gjatë punimeve të punëtorisë, diskutimet do të fokusohen në zbatimin dhe efektet e programit të pagesave direkte, me theks të veçantë në:
• sektorin e drithërave,
• sektorin e drithërave – Masa 1,
• sektorin e hortikulturës,
• si dhe në masën e sigurimeve bujqësore.
• Masa 5, Masa 10, Masa 11.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtohet edhe gjendjes aktuale të sistemit të ujitjes në Kosovë, me fokus në modernizimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së ujitjes, si një faktor kyç për rritjen e produktivitetit bujqësor dhe përballimin e sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike.
Punëtoria dyditore synon të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e përvojave profesionale, identifikimin e sfidave dhe avancimin e politikave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe modernizimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.