October 2, 2025
1 min read

Me moton “Me ty fillon parandalimi”, lansohet fushata sensibilizuese kundër kancerit të gjirit

Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka filluar fushatën sensibilizuese kundër kancerit të gjirit.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se motoja e fushatës për këtë vit është “Me ty fillon parandalimi”, e që sipas tij është një mesazh i qartë se secili ka rol të rëndësishëm.

Ai theksoi se me vetëkontrolli dhe kontrolle të rregullta bëhet hapi vendimtar drejt zbulimit të sëmundjes dhe shpëtimit nga ajo.

Sipas tij, vetëm në vitin 2024 janë regjistruar 640 raste të reja, shumica gra, por edhe burra.

Kurti shtoi se ndërgjegjësimi i grave dhe burrave për sëmundjen e kancerit të gjirit nuk është vetëm çështje e institucioneve, por e gjithë shoqërisë, që mund të ndryshojë statistikat dhe të shpëtojë jetë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se fushata synon ndërgjegjësimin për një sëmundje që prek mijëra gra, por edhe burra çdo vit.

Ai theksoi se vetëkontrolli, kontrollet e shpeshta dhe mamografia janë vendimtare për parandalimin dhe shërimin e kancerit të gjirit.

Vitia njoftoi se kapacitetet për trajtimin e sëmundjes janë dyfishuar, hapësirat janë modernizuar dhe se lista esenciale është rishikuar me qëllim futjen e barnave të reja kundër kësaj sëmundje.

Po ashtu, nga vetëm katër operacione për rikonstruksion të gjirit në vitin 2021, Vitia tha se numri ka arritur në 150 vitet e fundit.

Ndërkaq, e mbijetuara e kancerit të gjirit, Nafije Latifi tha se ky tetor duhet të jetë jo vetëm muaj i ndërgjegjësimit, por edhe i veprimeve konkrete, i investimeve serioze dhe i përkushtimit të vërtetë.

Ajo shtoi se çdo jetë ka vlerë dhe çdo pacient duhet të ketë shpresë dhe dinjitet.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila më herët kishte bërë të ditur se është diagnostikuar me kancer të gjirit, bëri thirrje që çdo vajzë dhe grua të kryejë kontrolle, në mënyrë që të parandalohet dhe të shpëtohet nga kjo sëmundje.

Latest from Blog

Go toTop