Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke dënuar gjuhën fyese, kërcënimet dhe retorikën përçarëse.
Mehaj i ka cilësuar të papranueshme thirrjet për “pushkatimin e Ramush Haradinajt”, si dhe epitetet e drejtuara ndaj Albin Kurtit, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet të kalojnë në fyerje, linçim apo mohim të patriotizmit.
Ai ka vlerësuar sakrificën e Haradinajt dhe familjes së tij gjatë luftës, ndërsa ka theksuar se edhe Kurti është pjesë e rëndësishme e jetës politike të Kosovës.
“I njoh të dy mirë, dhe asnjëri prej tyre nuk e do Serbinë, e as Rusinë”, ka shkruar Mehaj.
Ish-ministri ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për pajtim politik mes Kurtit dhe Haradinajt.
“Albini dhe Ramushi duhet të gjejnë rrugën e pajtimit politik. Për hir të Republikës, për hir të dëshmorëve dhe për hir të së ardhmes së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Mehaj është shprehur i gatshëm që personalisht të kontribuojë në afrimin e skenës politike shqiptare, përfshirë VV-në, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, nëse kjo i shërben stabilitetit dhe interesit të vendit.
“Uniteti nuk do të thotë të mendojmë njësoj. Uniteti do të thotë ta duam të njëjtin vend dhe ta vendosim Kosovën mbi interesat tona politike”, ka përfunduar Mehaj.
/Demantim News/