Mërgimtarët që po qëndrojnë në Kosovë gjatë pushimeve kanë vizituar Kuvendin, ku kanë shprehur shqetësimin për krizën politike dhe vonesat në funksionalizimin e institucioneve.
Ata kanë kërkuar nga partitë politike që të lënë mënjanë përplasjet dhe të gjejnë një kompromis sa më shpejt, duke theksuar se çdo ditë e humbur e dëmton vendin.
Jusuf Stublla, që jeton në Gjermani, tha se situata po ndiqet me shqetësim edhe nga diaspora, duke kërkuar që Kuvendi të konstituohet sa më parë.
Ndërsa Azem Lushtaku nga Zvicra u shpreh shumë më kritik ndaj politikanëve, duke thënë se është zhgënjyer aq shumë sa nuk sheh më arsye për t’i votuar.
Në anën tjetër, Shefki Gashi nga Gjermania bëri thirrje për unitet dhe marrëveshje politike, në mënyrë që institucionet të krijohen dhe Kosova të vazhdojë përpara.
Vizitat po zhvillohen në kuadër të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, i cili ka nisur më 10 gusht dhe përfundon më 12 gusht.