Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se aktualisht të gjitha rrugët janë të kalueshme, por se duhet kujdes i shtuar në qarkullim.
Durmishi tha se kanë intervenuar në shumicën e rrugëve për të cilat është kompetente Ministria dhe se me pastrim e hedhje të kripës po vazhdojnë edhe sot.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar edhe mbrëmë, për shkak të kontrastit të temperaturave, rrugët tona janë të mbuluara me ngrica. Gjatë gjithë natës kemi intervenuar në shumicën e rrugëve që janë në kompetencë të ministrisë. Edhe sot në mëngjes kemi vazhduar punën në pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës. Aktualisht, të gjitha rrugët janë të kalueshme, por kërkohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit. Ju lutemi t’i përshtateni kushteve të rrugës”, tha ai.