Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar pas rritjes së çmimeve.
Ai ka thënë se qeveria nuk po e mbron as qytetarin dhe as ekonominë.
“Qeveria që nuk mbron qytetarin dhe ekonominë në kohë krizë është qeveri jo vetëm e padijshme por edhe e poshtër dhe kriminale”, shkruan ai.
Inflacioni dhe rritja e çmimeve, sipas tij kanë filluar ta godasin rëndë qytetarin dhe familjet kosovare.
“Qeveria e Kosovës as që po e lëviz vetullën, e lëre më të marrë masa serioze për të mbrojtur ekonominë dhe qytetarët”
“Këtë model e kemi parë edhe më herët… në fund, krijohen disa skema “bonusesh nga 100 EURO” që më shumë shërbejnë për të blerë vota sesa për të menaxhuar inflacionin dhe ekonominë. Ironikisht, këto “masa” nga 100 euro mund të rrisin cmimet e inflacioni në vend se te menaxhojnë dhe ndihmojnë ekonominë se ato rrisin kërkesën në treg. Mes tjerash, rrisin edhe importin dhe deficitin tregtar”.
Një qeveri që nuk reagon për të mbrojtur qytetarin, sipas Muharemmit, pavarësisht thirrjeve dhe paralajmërimeve të shumta, nuk është vetëm e padijshme dhe jokompetente për të qeverisur, por edhe e papërgjegjshme, e poshtër dhe kriminale.
“Është e papranueshme të shohësh familje që po gjunjëzohen nga çmimet astronomike dhe të mos ndërmarrësh asgjë për të ndihmuar dhe për të menaxhuar situatën, një obligim themelor i çdo qeverie”.
“E në këtë situatë kritike që po kalojmë, ende nuk kemi parë më të keqen, përkundër faktit që kemi inflacion kronik dhe cmimet tani po rriten pas shumë valëve të rritjeve me muaj e vite e që e kanë bërë jetën e papërballueshme dhe e kanë rritur migirmin e rinisë kosovare me qindra mijëra vitet e fundit”.
SIpas tij, Kosova ka një nga situatat më të ndjeshme dhe më fragjile. (a) Kemi aktualisht inflacion shumë të lartë bazë rreth 6%, (b) rritje dramatike të çmimit të naftës; dhe (c) pritje për rritjen e katërt të çmimit të energjisë.
“Kjo nënkupton keqmenaxhim të thellë në energji, ekonomi, inflacion dhe tregun e punës. Kur kësaj i shtohet varësia e lartë nga importi dhe rritja kronike e tij (nga 2.8 miliardë në 2021 në mbi 6 miliardë në 2025 deficitit ne mallra), kombinimi bëhet potencialisht shpërthyes”.
“Si mundet një qeveri në këtë situatë tepër kritike të mos veproj? Si mundet një opozitë të mos jetë kërkuese e mos të protestoj”, pyet Muharremi, sipas të cilit, kjo nënkupton që shtresat e pakënaqësive dhe shqetësimeve për qytetarët dhe familjet po thellohen, e po rrezikojmë që të fshehim e mos adresojmë problemet tona deri në masë kur gjithcka shpërthen dhe më askush nuk mund ta kontrollojë sitautën.
“Kjo mesiguri është një papërgjegjësi e skajshme politike dhe qeveritare”.