Qytetarët në Kosovë vazhdojnë të ankohen për mungesën e barnave në treg, ndërsa procesi i unifikimit të çmimeve po konsiderohet si një nga faktorët që ka ndikuar në lëvizjet e fundit në sektorin farmaceutik.
Specialisti i Farmacisë Klinike, Astrit Haxhijaha, tha për Indeksonline se unifikimi i çmimeve nuk nënkupton domosdoshmërisht ulje apo ngritje të tyre, por vendosjen e çmimeve të njëjta në të gjitha barnatoret e licencuara në Kosovë.
Sipas Haxhijahës, çmimet e barnave nuk përcaktohen sipas dëshirës së tregtarëve, por bazohen në një metodologji të ndërtuar mbi shtetet referente, ku Kosova merr për bazë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Kroacinë.
Ai shpjegoi se, sipas legjislacionit në fuqi, çmimet rideklarohen çdo vit, duke bërë që ndryshimet të jenë të pashmangshme.
“Ky është një proces që kërkon kohë dhe kalon në disa faza. Duhet të kalojnë dy deri në tre vite që tregu të stabilizohet plotësisht”, deklaroi ai.
Haxhijaha tha se faza e parë ka qenë “goditja e tregut”, që nisi vitin e kaluar me hyrjen në fuqi të unifikimit të çmimeve, periudhë gjatë së cilës pati tërheqje të disa barnave nga tregu për shkak të marzhës apo formulës së përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Faza e dytë, sipas tij, ka qenë ajo e adaptimit, ku importuesit kanë rinegociuar kontratat me prodhuesit për t’iu përshtatur sistemit të ri të çmimeve.
“Tani mendojmë se jemi në fazën e tretë, atë të stabilizimit, ku tregu po përshtatet me strukturën e re të çmimeve”, tha ai.
Ai vlerësoi se aktualisht procesi po ecën mirë dhe se pritet që mungesat e barnave të reduktohen ndjeshëm.
Megjithatë, Haxhijaha theksoi se mungesa e barnave nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me unifikimin e çmimeve, pasi raste të tilla kanë ekzistuar edhe më herët.
“Unifikimi mund të jetë një nga faktorët, sidomos gjatë fazës së dytë kur importuesit kanë rinegociuar me prodhuesit. Por tani, me fazën e stabilizimit, pritet që gjendja të normalizohet dhe mungesat të jenë minimale”, shtoi ai.
Ai foli edhe për pritjet lidhur me ndryshimin e Udhëzimit Administrativ 01/2022, i cili aktualisht ndodhet në fazën e konsultimeve publike dhe që pritet të eliminojë kufizimet për produktet pa paralele.
Sipas tij, kufizimi aktual prej 3 mijë kutive për produkte të caktuara ka krijuar vështirësi në furnizim dhe ka ndikuar në rritjen e tregut ilegal.
Ai shtoi se me ndryshimet e reja pritet të shmangen kufizimet dhe të përmirësohet ndjeshëm furnizimi me barna në tregun kosovar.
“Është bërë atëherë në 2022 ka qenë e kufizuar dhe çdo herë kemi pasur kërkesë që kjo të rishikohet dhe është marrë parasysh nga MSH dhe po presim që ky udhëzim sa më shpejtë të finalizohet dhe mos të kemi më kufizime. Sepse ka pasur pacient që numri i tyre apo një produkt ka pasur nevojë për 12 apo 15 mijë kuti në vit, sipas raporteve të agjencionit të barnave. Mirëpo udhëzimi t’i ka kufizuar në 3 mijë dhe është dashur në mënyrë të patjetërsueshme 10 mijë të tjera të futen në mënyrë ilegale. Me shfuqizimin e këtij udhëzimit dhe plotësim ndryshimit që po bëhet tani në këtë fazë, do të ndikojë në mënyrë direkte dhe do të bëhet një gjë e mirë”, tha Haxhijaha.