Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nuk është mbajtur për shkak të mungesës së kuorumit.
Në rend dite ishte paraparë shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, si dhe njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.
Mbledhja dështoi të zhvillohej pasi nuk ishte i pranishëm numri i nevojshëm i anëtarëve për vendimmarrje.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, tha se disa nga anëtarët e kishin njoftuar për mungesën e tyre, ndërsa të tjerët jo. Ai kritikoi mungesën e tyre, duke theksuar se asnjëri nuk kishte paraqitur kërkesë për pushim.
“Katër prej tyre më kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në takim. Asnjë nga anëtarët nuk ka paraqitur kërkesë për pushim. Nuk mund të lejohet një sjellje e tillë. Si pasojë e mungesës së kuorumit, ky takim nuk mund të mbahet”, deklaroi Thaqi.
Kjo çështje kishte shkaktuar përplasje edhe në mbledhjen e fundit të KGJK-së, e cila ishte ndërprerë pas debatit mes anëtarëve lidhur me shqyrtimin e kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb në veri të vendit.