August 10, 2026
1 min read

Naftëtarët kërkojnë anulimin e menjëhershëm të vendimit për kontrollin e çmimeve të derivateve

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit anulimin e menjëhershëm të vendimit për kontrollin e çmimeve të produkteve të naftës.

Sipas Shoqatës, masa aktuale po i dëmton bizneset, po cenon konkurrencën e lirë dhe, sipas tyre, nuk po sjell përfitime reale për konsumatorët.

Naftëtarët pretendojnë se vendimi nuk i plotëson kriteret e përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe kundërshtojnë vazhdimin e kufizimit të marzhës tregtare.

Shoqata ka deklaruar gjithashtu se nga 3 marsi 2026 konsumatorët kanë paguar mesatarisht rreth 7.5 centë më shumë për litër në buxhetin e shtetit, krahasuar me periudhën para rritjes së çmimeve të furnizimit.

Pavarësisht rritjes së kostove, sipas Shoqatës, kompanitë e sektorit kanë vazhduar furnizimin e rregullt të tregut me karburante.

Naftëtarët paralajmëruan se, nëse vendimi nuk anulohet, do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë juridike, përfshirë edhe kërkesën për kompensimin e humbjeve që pretendojnë se u janë shkaktuar.

Vendimi i MINT-it, i cili ka hyrë në fuqi më 5 mars, përcakton marzhë fitimi prej 2 centësh për litër në shitjen me shumicë dhe 12 centësh në shitjen me pakicë.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop