November 24, 2025
5 mins read

“Ndërroni gomën ose suspendoheni”, flet njëri nga dy shoferët e lënduar në Minierën e Stantërgut

Erson Rrustemi dhe Përparim Beqiri, u lënduan deri sa ishin duke ndërruar gomën e kamionit i cili bartë xehe, në horizontin e dhjetë në Minierën e Stantërgut në ndërmarrjen Trepça.

Nga e shtuna, ata janë të shtrirë në klinikën e syve në Spitalin e Mitrovicës.

“Të shtunën kur ka ndodhë rasti, na e kanë dhënë ndihëm e parë, jemi liru në shtëpi me shku me u la edhe me u kthy sërish me u shtri në spital”, ka thënë për Klan Kosovën, Erson Rrustemi.

Si vozitës të kamionëve që bartin xehe në minierë, Erzoni ishte bashkë me Përparimin kur u u ndodhi rasti. Ai ka thënë për televizionin se nuk e kanë në përshkrim të detyrave të punës të rregullojnë prishjet e kamionit që vozisin, sepse nuk janë mekanikë, por ishin urdhëruar nga drejtori i prodhimit, në të kundërtën do të suspendoheshin.

“Ju ka shpërthy goma. Edhe na ka ardhë një urdhër nga lart që duhet me rregullu gomën, me ja ndërru gomën. Ne kemi thënë që nuk e ndërrojmë se nuk jemi përgjegjës për këtë punë. Ata na kanë thënë që nëse nuk e ndërroni gomën, të hënën shkoni në suspendim, nëse nuk e zbatoni urdhrin”, ka deklaruar Rrustemi.

Rrustemi tregon se ndërrimin e gomave e këto punë mekanike, nuk i kanë në përshkrim të punës, sipas kontratës.

“Në kontratat ne e kemi të shkruar se jemi shofera, vetëm shofera, nuk jemi mekanika për me rregullu prishjet. Por urdhëri ka ardhë që na duhet me rregullu atë gomë”, vazhdon më tej ai.

Por, duke e rregulluar këtë prishje të gomës, ata të dy u lënduan.

“Nejse ne e kemi fry gomën, po kur e kemi hjekë atë gypin që duhet për me fry gomën, që fryhet me rregullore, taman sa duhet me u fry goma, kur e kemi largu atë gypin mrenda sekondave është heq një siguresë aty që është aty edhe e dëmtume, ka dalë prej vendit, pastaj ka kërcitë goma edhe na ka lëndu neve”, tregon Rrustemi.

“Të dy jemi të lënduar”, vazhdon më tej Rrustemi për Klan Kosovën “krejt ai pluhuri, kur ka shpërthy goma na ka ra syve dhe na ka gju nja 3-4 metra larg, na ka përplasë në minierë”.

Përveç syve, Përparim Beqiri ka të lënduar edhe dorën, ka qarë lëkurën dhe ka mavijosje të krah. Me këto lëndime, të dy të lënduarit po trajtohen intenzivisht në Spitalin e Mitrovicës.

“Na kanë thënë me nejtë një javë ditë në spital, çdo dy orë me pika me yndyrëra me sene edhe tani vazhdon edhe dy javë e ma shumë trajtimi, varët se qysh shërohet syri, qysh është gjendja e syrit”, tregon Rrustemi.

Klan Kosova ka kontaktuar edhe me Drejtorin e Prodhimit, Bujar Jasharin.

Përmes telefonit ai ka thënë se shoferët e kanë për detyrë të kryejnë edhe punë të mekaniku kur ka nevojë.

“Çdo mos kryerje e detyrave sipas vendimeve sipas përgjegjësive që kanë, normalist shkojnë në përgjegjësi. Edhe unë si dejtor shkoj në përgjegjësi nëse nuk i kryej detyrat e mija”, ka deklaruar Jashari për Klan Kosovën.

Ai mohoi deklaratat e dy punëtorëve të lënduar se nuk e kanë në përshkim të punës ndërrimin e gomave të kamionëve ose fryrjen e tyre.

“Nuk qëndron diçka e tillë sepse qëndron në përshkrim të detyrave të punës së tyre. Ata janë me vendime ma së pari, shoferët e kamionëve. Ata duhet me i ndërru edhe gomat. Çdo detyrë që u jepet nga mbikëqyrësi i vet e kanë të përshkrume në përshkrim të detyrave, edhe për ndërrim të gomave”, ka përfunduar Jashari.

Klani provoi të bjerë në kontakt edhe me Drejtorin e Njësisë së Minierës me Fonacion në Stantërg, Shyqeri Sadikun, por nuk ishte i qasshëm.

Cilat janë detyrat e punës për vozitësit e kamionëve në minierë, sipas rregullores së punës?

Sipas Rregullores për Sistematizimin e vendeve të Punës në Njësinë Biznesore miniera me Flotacion “Trepca – Stantërg”, e hartuar në vitin maj të vitit 2023, për përgjegjësinë e punës Vozitës Kamioni në Minierë, detyrat e punës janë:

-Pasi të merr orarin është i obliguar që së pari të bëj kontrollimin e makinës transportuese – kamionit, e nëse vërejnë ndonjë defekt, ta lajmëroj mbikëqyrësin,

-Punët i kryen në transportin e xehes nga punishte,

-Për kualitetin dhe kuantitetin e punëve të kryera i përgjigjet mbikëqyrësit,

– Punon sipas udhëzimeve me gojë apo me shkrim të mbikëqyrësit,

-Pas kryerjes së punëve e lajmëron mbikëqyrësin për punët e kryera dhe për gjendjen në të cilën e ka lënë makinën transportuese – kamion, me të cilin ka punuar,

-Gjatë kryerjes së punëve është i obliguar që të zbato rregullat teknike të mbrojtjes në punë,

-Punon edhe punë të tjera që i cakton mbikëqyrësi.

Për lëndimin e fundit në minierën e Stantërgut, ka reaguar edhe sindikata e punëtorëve.

“Situata në minierë ka arritur në një pikë ku nuk mund të heshtet më. Përveç rrezikut të përditshëm që sjell profesioni ynë, ne po punojmë në kushte që nuk i plotësojnë as kërkesat minimale të sigurisë. Trajnimet e domosdoshme për sigurinë dhe shëndetin në punë mungojnë, edhe pse me ligj duhet të mbahen rregullisht për çdo punëtor.

Çdo ditë jemi dëshmitarë të lëndimeve të rënda e të lehta brenda minierës. Shumë kolegë tanë kanë mbetur me pasoja të përhershme në shëndet, e shumë të tjerë me lëndime që nuk shihen nga askush përveç regjistrave të brendshëm. Ky numër është alarmues dhe nuk mund të trajtohet më si statistikë e ftohtë. Kjo është jeta e minatorëve që rrezikojnë për të mbajtur minierën gjallë”, shkruhet ndër të tjera në reagimin e Sindikatës së pavarur të Minatorëve të Trepçës, në llogarinë e tyre ne Facebook.

Ndërsa menaxhmenti i ndërmrrjes, pas lajmit për lëndim të dy punëtorëve, në horizontin e dhjetë, të shtunën kanë lëshuar një komunikatë për medie, ku përveç pjesës që kanë treguar se si ka ndodhur lëndimi, ata kanë njoftuar se pas dhënies së ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, të lënduarit janë lëshuar për trajtim në shtëpi, duke mos treguar të vërtetën se punëtorët po vazhdojnë të trajtohen edhe më tej në spital.

Latest from Blog

Go toTop