Kostoja e ndërtimit në Kosovë ka vijuar të rritet edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke arritur një rritje vjetore prej 4,4 për qind.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Kostos së Ndërtimit u rrit me 0,9 për qind në periudhën prill-qershor 2026, krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.
Në bazë tremujore, rritjen më të madhe e pati energjia, me 2,3 për qind, ndërsa pagat u rritën me 2 për qind. Materialet dhe transporti shënuan rritje prej 1,5 për qind secila, ndërsa kostot e tjera u rritën me 0,9 për qind.
Në anën tjetër, makineritë ishin kategoria e vetme që shënoi ulje, me 0,6 për qind.
Ndërkaq, krahasimi me tremujorin e dytë të vitit 2025 tregon një rritje më të theksuar të kostove. Në përgjithësi, ndërtimi në Kosovë gjatë TM2 2026 kushtoi 4,4 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Transporti kryeson rritjen vjetore me 11,2 për qind, ndërsa pagat janë shtrenjtuar me 8,6 për qind.
Rritje prej 5,6 për qind kanë shënuar kostot e tjera, ndërsa çmimet e materialeve u rritën me 4,4 për qind. Energjia pati rritje vjetore prej 2,3 për qind.
Edhe në krahasimin vjetor, makineritë mbeten e vetmja kategori me rënie, duke regjistruar një ulje prej 0,9 për qind.
Të dhënat tregojnë se presioni kryesor mbi koston e ndërtimit po vjen nga transporti dhe fuqia punëtore, ndërsa rritje më të moderuara janë regjistruar te materialet dhe energjia.