Dy bashkëavokate të Kadri Veselit, Annie O’Reilly dhe Kerrie Ann Rowan, janë larguar nga ekipi i tij mbrojtës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në prag të procedurave të Apelit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Regjistrit, avokati kryesor i Veselit, Rodney Dixon, më 13 tetor ka vendosur t’ua ndërpresë menjëherë kontratat dy bashkëavokateve.
Ndërkaq, më 14 tetor, Regjistri ka konfirmuar përfundimin e angazhimit të tyre në ekipin mbrojtës.
Në letrën drejtuar Zyrës së Mbrojtjes, Dixon ka theksuar se largimi i dy avokateve nuk do të ketë ndikim negativ në interesat e klientit të tij dhe as nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor.
Njoftimi për ndryshimet në ekipin mbrojtës i është dorëzuar Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Largimi i dy bashkëavokateve vjen në një fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj Veselit, teksa pritet të zhvillohen procedurat e Apelit.

