September 25, 2025
7 mins read

Nënat flasin për dhunën obstetrike, shteti hesht, Avokati i Popullit gjeti shkelje të të drejtave të njeriut

Një realitet alarmant, për të cilin shteti s’po reagon, sollën së fundi gratë me rrëfimet e tyre për keqtrajtim në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK dhe jo vetëm!

Të njëjtat zbulojnë se dhuna obstetrike është bërë pjesë e përditshmërisë në sallat e lindjes.

Fjalë fyese, trajtim çnjerëzor, mungesë kujdesi dhe shkelje të privatësisë janë përjetime që gratë kanë ndarë publikisht, duke e nxjerrë në pah një krizë të thellë në sistemin shëndetësor.

Përkundër ‘denoncimeve të shumta’ publike dhe kërkimeve të nisura nga institucione si Avokati i Popullit, deri më tani asnjë masë konkrete nuk është marrë ndaj përgjegjësve, shto faktin se hulumtim u zhvillua që nga 2021 dhe nuk ka përmirësim pavarësisht rekomandimeve.

Kjo mungesë reagimi po e normalizon një fenomen të papranueshëm, duke lënë gratë të pambrojtura në një prej përvojave më të ndjeshme të jetës së tyre.

Pas interesimit të klankosova.tv, në një përgjigje më të detajuar, Instituti i Avokatit të Popullit, konfirmon se ka zhvilluar hetim ex officio lidhur me shkeljet e të drejtave të grave dhe vajzave në shërbimet e Shëndetit Seksual dhe Riprodhues përfshirë, trajtimin gjatë lindjes.

Sipas raportit i cili me rekomandime i ishte dorëzuar institucioneve përkatëse në dhjetor të 2022, shumë gra kanë pohuar se janë trajtuar me gjuhë fyese, në mënyrë të padinjitetshme dhe diskriminuese nga personeli shëndetësor, veçanërisht në institucionet publike.

”Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe kontaktit me gra dhe vajza, është pohuar se sa i përket procesit të lindjes ato janë ballafaquar me sfida që në hyrje/pranim të institucioneve shëndetësore publike, si shkelja e privatësisë, trajtimi i padinjitetshëm e i papranueshëm nga personeli shëndetësor dhe vështirësitë e tyre kanë vazhduar edhe në sallat e lindjeve. Po ashtu, kanë pohuar se infermieret dhe mamitë nuk ua kanë ofruar kujdesin e duhur shëndetësor, dhe i kanë ofenduar me fjalë të rënda të tilla si: “Pse keni ardhur kaq vonë?”, apo “Hajt mos u anko, se vetë ke dashtë?!” apo në rast se kanë kërkuar ndihmën e infermieres apo mamisë për shkak të gjendjes së paralindjes i kanë thënë ”uh s’kam tjetër punë unë veç ty me të ndihmu”, ndërsa, grave dhe vajzave me aftësi të kufizuar u është thënë: “Pse ke mbetë shtatzënë në këtë gjendje?” ‘’, thuhet në përgjigjen e Institutit të Avokatit të Popullit.

Sipas këtij hulumtimi, gratë dhe vajzat kanë pohuar se nëse ndonjërin nga personeli shëndetësor e ke familjar, të afërm, ke lidhje shoqërore, apo ndonjë afërsi tjetër, atëherë të ofrohen shërbimet e nevojshme mjekësore dhe ke trajtim të dinjitetshëm. Në të kundërtën, do të ballafaqohesh me trajtim të padinjitetshëm, e këtë posaçërisht nga infermieret/ët dhe mamitë.

Instituti i Avokatit të Popullit thotë ndër tjera për klankosova.tv, se janë theksuar po ashtu shkelje të privatësisë, mungesa e respektit dhe qasja joprofesionale, sidomos ndaj grave me aftësi të kufizuara dhe komuniteteve pakicë.

”Kryesisht, sipas tyre, cenimi i privatësisë dhe konfidencialitetit është me i shprehur në institucionet shëndetësore në qytetet e vogla, gjatë vizitave gjinekologjike apo marrjes së shërbimeve të kësaj natyre, mirëpo nuk bëjnë përjashtim edhe spitalet e përgjithshme dhe KOGj/QKUK”, thotë ky institut.

Sa i përket trajtimit dhe gjuhës së përdorur ndaj pacienteve, Avokati i Popullit konfirmon se jo të gjitha gratë dhe vajzat të cilat kërkojnë shërbime për lindje trajtohen në mënyrë të dinjitetshme e të përshtatshme nga stafi shëndetësor në institucionet publike.

”Gratë dhe vajzat nga komunitetet pakicë janë ankuar për gjuhën diskriminuese në bazë të etnisë në rastet kur kanë kërkuar shërbime për kontrolle gjinekologjike apo lindje në spitale publike “nga cila mahallë je…?”, theksohet tutje në përgjigjien e këtij instituti për klankosova.tv.

Gratë dhe vajzat gjithashtu kanë ngritur edhe çështjen e trajtimit të tyre nga mjekët në spitalin publik dhe në atë privat mbi një fenomen tjetër jo rrallë të dëgjuar.

”Kanë theksuar se shpeshherë personeli i cili ka ofruar shërbime në sektorin privat, ka qenë i njëjti me personelin që ofron shërbime në sektorin publik shëndetësor. Megjithatë, sjellja dhe trajtimi nga po të njëjtët/at, ka qenë e papërshtatshme dhe denigruese në sektorin publik shëndetësor, përderisa në sektorin privat, ka pasur kujdes të shtuar dhe qasje më të pranueshme”.

Megjithatë, gratë shpesh nuk ankohen, nga frika e hakmarrjes apo mosbesimi në institucionet.

”Lidhur me ankesat eventuale nga kërkueset/it e shërbimeve për ShSR, shumë pak prej tyre kanë pohuar se kanë njohuri për mundësinë apo mekanizmin e ankesës. Megjithatë, një pjesë e grave dhe vajzave kanë dhënë të tjera arsye pse nuk parashtrojnë ankesë. Shumica prej tyre kanë pohuar se nuk kanë informacion se ku mund të ankohen, përderisa disa nga gratë apo vajzat kanë thënë se në spitalin e qytetit ku ato marrin shërbime, ka të vendosur një kuti ankese, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë, meqë nuk besojnë se do të shqyrtohen nga ndokush. Të tjera kanë thënë “ nuk kam dashur të ankohem, se vend i vogël jemi e njihemi të gjithë” ose “m’ka shku mendja t’ankohem, por nuk besoj se ankesa ime ndikon të ndryshohet gjendja.” Gjithashtu, disa gra dhe vajza kanë shprehur hezitimin nëse janë në gjendje të përmbledhin hallin e tyre dhe sjelljen e personelit shëndetësor brenda një ankese të shkruar”, thuhet nga ky institucion.

Lidhur me çështjet e ngritura në këtë raport, Avokati i Popullit pas përfundimit të hetimeve, ndër të tjera ka vlerësuar se:

  • Sa i përket mundësisë së ankesës shteti obligohet të ofrojë informim të vazhdueshëm dhe t’i funksionalizojë e t’i bëjë efektiv e efikas mekanizmat e ankesës. Vetëm në këtë mënyrë shteti përmbush detyrimin pozitiv për të siguruar qasjen e të gjithëve në drejtësi dhe në mjete efektive e domethënëse, sa herë që të drejtat e njeriut janë cenuar.
  • Trajtimi me dinjitet, mbrojtja e privatësisë dhe e konfidencialitetit, mbrojtja e të dhënave personale dhe shëndetësore, janë të drejta të garantuara, në institucione shëndetësore, si publike ashtu edhe private.
  • Institucionet shëndetësore publike duhet të krijojnë kushte të përshtatshme për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, për të kryer kontrolle gjinekologjike dhe lindje në mënyrë të dinjitetshme.
  • Se trajtimi i padinjitetshëm dhe cenimi i konfidencialitetit të grave, posaçërisht i atyre me aftësi të kufizuara, në institucione shëndetësore, paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Sigurimi dhe ofrimi i shërbimeve shëndetësore duhet të bëhet gjithmonë duke pasur parasysh dinjitetin e pacientit/es dhe respektimin e privatësisë së tyre, përfshirë këtu rastet kur ofrohen këshilla dhe shërbime për ShSR’’.

Por, në përgjigjen e dhënë për klankosova.tv, në këtë raport përfshihet edhe një detaj tjetër ku Avokati i Popullit ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK masa, përfshirë trajnime për personelin dhe mbikëqyrje të shtuar, çështje e cila po duket aspak e realizuar bazuar në realitetin e krijuar të keqtrajtimit.

”Të përfshijë trajnimet për ofrimin e informatave, shërbimeve dhe trajtimit të dinjitetshëm, në bashkëpunim dhe koordinim me Odën e Mjekëve dhe Odën e Infermiereve, në kuadër të kurrikulës së trajnimeve për personelin shëndetësor”.

”Të promovoj linjën falas për ankesa te qytetareve sipas legjislacionit aktual”.

Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës:

”Në bashkëpunim me Odën e Infermierëve dhe Odën e Mjekëve, të mbahen trajnime të veçanta për personelin shëndetësor, përkitazi me qasjen e duhur dhe trajtimin me dinjitet dhe jodiskriminues për të gjithë pacientet/ët, veçmas tek procesi i abortit apo para, gjatë dhe paslindjes”.

Ndër tjera, raporti i këtij institucioni thotë se dyshime ka edhe për abuzim me barnat esenciale dhe referime të dyshimta në sektorin privat ndërsa institucionet janë thirrur të garantojnë dinjitetin, privatësinë dhe barazinë në trajtim.

Institutiti i Avokatit të Popullit përmend se mosveprimi rrezikon të thellojë më tej krizën e besimit te gratë ndaj sistemit shëndetësor.

Kujtojmë që deri tani pavarësisht të gjitha rrëfimeve faktike për dhunë e keqtrajtim, të raportuara publikisht edhe në Klan Kosova, të grave që sollën jetë të reja në këtë klinikë, Prokuroria ende nuk ka hapur rast hetimi mbi gjendjen në këto reparte.

Ndërkohë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, pret vetëm ankesat zyrtare të pacienteve, por nuk raporton mbi të gjeturat që vetë kanë arritur të identifikojnë ndër të gjitha këto raste të zbuluara publikisht nga mediat.

Latest from Blog

Rezultatet e para në Deçan

KQZ pas përfundimit të votimit ka nisur edhe procesin e numërimit të votave në komunat e Kosovës. Në Deçan prin kryetari aktual Bashkim Ramosaj nga AAK-ja me 54.52 për qind, Jeton Mushkolaj
Go toTop